Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht se gjatë ditës së djeshme pas mesnatës Qendra e Regjistrimit në komunën e Zubin Potokut është djegur nga serbët të cilët nuk po e pranojnë reciprocitetin për targat.
Sipas policisë zjarri ka përfshirë ambientet përdhesë të ndërtesës dhe ekziston dyshimi se ka prekur ambientet e qendrës së Ministrisë së Brendshme të Kosovës dhe Biblotekën e Shtëpisë së Kulturës.
“Sipas informacioneve të para, supozohet se zjarri ka përfshirë ambientet përdhese të ndërtesës dhe ekziston dyshimi se ka prekur ambientet e qendrës së Ministrisë së Brendshme të Kosovës dhe Bibliotekën e Shtëpisë së Kulturës”, thuhej në njoftimin e policisë.
Gazeta Sinjali dje raportoi se edhe në Zveçan ka ndodhur një incident, në ndërtesën “Intel” ku gjendet qendra për regjistrimin civil.
Sinjali nga burimet ka mësuar se në këtë qendër është thyer dera e përparme e hyrjes së ndërtesës ku lëshohen letërnjoftimet dhe patentë shoferët.
Këto burime kanë njoftuar Sinjalin se në ndërtesë po ashtu është vendosur një mjet eksplozivi, që nuk ka shpërthyer.
Reagimet e krerëve shtetëror pas sulmeve në veri
Pas raportimeve të Gazetës Sinjali një nga reagimet e para ishte ai i Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili sulmet në veri të vendit i quajti akt kriminal me elemente terroriste.
“Sot ora 01:00 pas mesnate, nga një akt kriminal me elemente terroriste të shkaktuar nga persona të dyshimtë është djegur Qendra e Regjistrimit të Automjeteve e cila gjendet në objektin e komunës në Zubin Potok. Policia e Kosovës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe së shpejti do të kemi më shumë informata. Po ashtu, është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan ku dyshohet edhe për një mjet shpërthyes”, kishte shkruar ai në Facebook.
Ndërkaq, kryeministri i vendit Albin Kurti, djegien në Qendrën e Regjistrimit të automjeteve në Zubin Potok, e ka quajtur të qëllimshme. Ai ka shtuar se Serbia po nxit dhe mbështetë aktet kriminale.
Sipas tij Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar.
“Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar. Sulmet e këtilla zjarrvënëse dhe kriminelët që i bëjnë ato nuk do të tolerohen”, kishte shkruar ai në Facebook.
I menjëhershëm ishte reagimi edhe nga presidenca, ku shefi i stafit të Prsidencës, Blerim Vela, ka thënë që Serbia mbanë përgjegjësi për çdo tejkalim të situatës në veri.
“Strategjia e Serbisë është që t’i rrisë tensionet çdo ditë në mënyrë që t’i provokojë institucionet e Kosovës. Grupet kriminale të Vuçiqit dhe strukturat ilegale kanë djegur zyret e qendrës për regjistrimin e automjeteve. Beogradi mbanë përgjegjësi të plotë për çdo eskalim të situatës”, ka shkruar Vela.
Ndërkaq, vet presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në reagimin e saj pas incidenteve në veri ka thënë se akte të tilla janë tregues se regjimi hegjemonist i Vuçiqit është burimi kryesor i destabilizimit të rajonit.
Ajo ka shtuar se përmes destabilizimit të rajonit, Vuçiq dhe Serbia po synojnë zhbërjen e arritjeve amerikane e evropiane në Kosovë dhe rajon.
“Sulmet e fundit ndaj institucioneve publike në veri të vendit nga strukturat kriminale dhe ilegale të mbështetura nga Serbia janë dëshmia kryesore për atë që po e themi që moti: Serbia dhe regjimi hegjemonist i Vuqiqit janë burimi kryesor i destabilizimit në rajon, i cili po synon zhbërjen e arritjeve të aleatëve tanë amerikanë dhe evropian në Kosovë e rajon”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Situata në veri – Kurti e Sveçla mbajnë konferencë për media
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit, kanë mbajtur konferencë për media.
Kurti në këtë konferencë tha se po të mos ishin policia pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak do të digjeshin. Sipas tij aty ku ka policë nuk ka incidente.
“Paramendoni se çfarë do të ngjante në pikat 1 dhe 31 sikur të mos ishte aty policia speciale. Sulmet e sotme janë dëshmi se kjo është synuar edhe në pikat në Jarinje dhe Bërnjak. Sot u vërtetua se ne kemi pika kufitare sepse kemi njësi speciale të policisë. Asnjë incident në asnjë pikë kufitare në ditën e gjashtë të vendimit të zbatimit të Qeverisë së Kosovës. Aty ku ka polici të Kosovës nuk ka incidente aty ku nuk ka polici ka incidente siç ndodhi në Zubin Potok”, tha ai.
Tutje ai ka shtuar se Serbia po synon që të nxisë konflikt rajonal. Sipas tij vendimi i Qeverisë nuk prek qytetarët serbë të Kosovës.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se vendimi për t’u pajisur është duke u zbatuar në të gjitha pikat dhe qendrat, shkruan Gazeta Sinjali.
Ai foli edhe për ngjarjen që ka ndodhur në Zubin Potok duke deklaruar se “Sot nga një akt kriminal me elemente terroriste është djegur qendra e regjistrimit në Zubin Potok, si dhe dy bomba dore u hodhën në Zveçan”.
Tutje Sveçla shtoi se janë duke u përhapur dezinformata dhe lajme të rrejshme sa i përket sigurisë së përgjithshme në komunat veriore të Kosovës.
“Pas vendimit legjitim të Qeverisë së Kosovës për targat të regjistruara nga strukturat paralele e të mbështetura nga strukturat e Serbisë, ata tashmë janë duke përhapur dezinformata dhe lajme të rrejshme sa i përket sigurisë së përgjithshme në komunat veriore të Kosovës”, tha Sveçla.
Kryeministri Kurti thërret mbledhjen e Këshillit të Sigurisë
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, dje në konferencën për media pas përshkallëzimit të situatës në veri, njoftoj se ka thirrur një mbledhje të Këshillit të Sigurisë.
Në mbledhjen e cila u mbajt mbrëmë u shqyrtua situata e sigurisë në Kosovë pas fillimit të zbatimit të vendimit për pajisjen me targa të përkohshme për automjetet me targa të Serbisë.
Në njoftimin e Qeverisë thuhet se në veçanti u diskutua koordinimi i mëtejmë i veprimeve strategjike në shërbim të paqes dhe sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend.
Kush po bllokon pikat kufitare në veri të Kosovës sipas Kurtit?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë ka publikuar profilin e dy personave me prapavijë kriminale, për të cilët po thotë se po marrin pjesë në bllokimin e pikave kufitare në veri të Kosovës.
Kurti një gjë të tillë e ka bërë nëpërmjet një postimi në llogarinë zyrtare të tij në Facebook.
Sipas tij, Vladislav Dajkoviq dhe Igor Braunoviq, janë në mesin e personave që po realizojnë bllokadën në Jarinje, për të cilët thotë se kanë prapavijë kriminale.
“Në bllokimet e rrugëve magjistrale që shpijnë në drejtim të vendkalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak po marrin pjesë individë të dëshmuar me veprimtari kriminale e pikëpamje ekstremiste. Në vijim janë dhënë përshkrimet dhe fotografitë e dy prej tyre”, ka shkruar ai.
Osmani ndërpret vizitën në New York
Pas zhvillimeve në veri të vendit, presidentja, Vjosa Osmani ka ndërprerë vizitën e saj për në New York dhe është nisur për në Prishtinë.
Lajmi është konfirmuar dje nga zyra e presidencës.
Versioni i Komunës së Zubin Potokut për incidentin në veri
Komuna e Zubin Potokut po akuzon Qeverinë e Kosovës se po përdorë incidentet në këtë komunë, për të mbajtur Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës në veri të vendit. Ata kanë dhënë një tjetër version për këto incidente.
“Lidhur me ngjarjen e pafat për shkak të djegies së dy dhomave më të vogla në ndërtesën e komunës së Zubin Potokut, duam të informojmë publikun se për fat të mirë nuk ka persona të lënduar, që është më e rëndësishmja, por edhe se një analizë paraprake e brendshme e shërbimeve tona, është identifikuar se instalimet elektrike te vjetruar janë shkaku i mundshëm i zjarrit”, thuhej në njoftimin e kësaj komune.
Çka ndodhi dje në Jarinje?
Mediat lokale në veri të vendit gjatë ditës së djeshme raportuan se në Jarinje dje janë aktivizuar edhe disa aeroplanë ushtarakë. Aktivizimi i këtyre aeroplanëve u bë një ditë pasi helikopterët e ushtrisë serbe fluturuan afër kufirit me Kosovën në Jarinje.
Çka ndodhi dje në Bërnjak?
Në ditën e gjashtë të protestës në veri të Kosovës, deputetët e Listës Serbe, Sllavko dhe Igor Simiq, kanë qëndruar bashkë me protestuesit serbë të cilët janë në Bërnjak.
Protestuesit kanë bllokuar rrugën, duke e barrikaduar me kamionë dhe duke pamundësuar qarkullimin e automjeteve në atë pjesë.
Ndërkaq, gjatë orëve të mbrëmjes dy kamionë janë larguar nga barrikada që është vendosur qysh nga vendimi i Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin me targa të Serbisë.
Sinjali nga burimet ka mësuar se kamioni i parë i cili ka braktisur barrikadën në kufirin e Bërnjakut ka arritur që ta kalojë kufirin dhe të dalë në Serbi.
Kurse, të njëjtat burime e kanë njoftuar Sinjalin se autoritetet kufitare serbe, shoferit të kamionit të dytë ia kanë ndaluar hyrjen me qëllim që ai të kthehet sërish në barrikadë.