image Ekskluzive| Nipi i Kaçës - 'bossit' të kontrabandës nga Serbia kërcënoi policin në Mitrovicë, Sinjali sjellë detajet

Ekskluzive

Ekskluzive| Nipi i Kaçës – ‘bossit’ të kontrabandës nga Serbia kërcënoi policin në Mitrovicë, Sinjali sjellë detajet

news image

“Bossi” kryesor i kontrabandës nga Serbia për në Kosovë, Besim Zeqiri, i njohur si “Kaça”, punën e tij të kundërligjshme ndër vite dyshohet se e ka kryer edhe me ndihmën e disa familjarëve. Vëllai dhe nipi i tij, emra të njohur për organet e rendit e kanë ndihmuar Kaçën në veprimtarinë e tij, për çka kanë përfunduar edhe vet në prangat e Policisë. Në shenjë revolte për rastet për të cilat është arrestuar, nipi i Kaçës, po dyshohet se e ka kërcënuar së fundmi një zyrtar policor në Mitrovicë, raporton Gazeta Sinjali.

Siç mëson Sinjali, bëhet fjalë për Valdet Zeqirin, i cili po kërkohet nga Policia e Kosovës, pasi të dielën, në rrugën “Muhamet Gashi” në Mitrovicë, dyshohet se e ka kanosur një polic, të cilit ia zuri pritën.

FOTO: Valdet Zeqiri

Zeqiri – i cili disa herë ka qenë i arrestuar për kontrabandë me mallra, e ka penguar zyrtarin policor teksa po lëvizte me veturën e tij, e ka provokuar dhe më pas e ka kërcënuar. Gjithçka dyshohet se lidhet me rastet për të cilat i njëjti ishte prangosur në të kaluarën dhe në shenjë revolte, ka tentuar t’i qërojë hesapet me policin.

Rasti është denoncuar menjëherë nga zyrtari policor, i cili ka dhënë deklaratën e tij për incidentin, ndërkohë që me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar hetim dhe është urdhëruar ndërmarrja e veprimeve të nevojshme për arrestimin e tij.

‘Kaça’, vëllai i tij dhe nipi Valdet Zeqiri – emra të njohur për organet e rendit

Besim Zeqiri, i cili dyshohet se është “njeriu kryesor” i kontrabandës nga Serbia për në Kosovë është pronari i barnatores në veri, ku më 2021, Njësia Speciale e Kosovës kreu bastisje nën dyshimin për kontrabandë.

Ai ishte në mesin e 10 personave që u shpallën në kërkim pas operacionit policor, në tetor të vitit 2021, kur Policia u sulmua pikërisht në barnatoren e tij. Pas kontrolleve në rreth 30 lokacione, 8 persona u arrestuan atë kohë, teksa 10 të tjerë, në mesin e të cilëve edhe Zeqiri ndodheshin në arrati.

‘Kaça’ u kap tek në muajin gusht të vitit 2023, pas një incidenti në afërsi të Çeçevës në veri të vendit, kur grupi i tij, me tri vetura dhe një furgon kanë gjuajtur me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve të Policisë së Kosovës.

Këtë herë, Besim Zeqiri dhe grupi i tij prej katër serbësh nuk arritën të shpëtonin dhe përfunduan në prangat e Policisë. Ata fillimisht tentuan që të ikin dhe në momentin që Policia tentoi t’i ndalojë, të dyshuarit gjuajtën me armë zjarri dhe më pas zyrtarët policorë ishin detyruar të kundërpërgjigjeshin. 

I njohur si njeriu kryesor i kontrabandës, Zeqiri ishte arrestuar edhe para gjashtë vitesh nga Policia e Kosovës, si i dyshuar për krim të organizuar. Ai kishte qëndruar për disa vjet në arrati derisa u kap në prill të 2018, pasi kërkohej nga Gjykata në Mitrovicë, për disa vepra penale.

Si i shumëkërkuar, Policia e Kosovës ishte përballur disa herë me Kaçën, siç është rasti i gushtit të vitit 2020, kur si në filma, Policia e ndoqi Zeqirin, por i njëjti ishte arratisur sërish.   

Në veprimtarinë kriminale të tij, ‘bossi’ i kontrabandës kishte bashkëpunuar edhe me vëllain e tij, Ismetin – babai i Valdetit që po kërkohet tash nga Policia.

Prokuroria Speciale e Kosovës e akuzonte Besim Zeqirin dhe Ismet Zeqirin se së bashku me të akuzuarit Milan Radisavleviq dhe Aleksander Rakiçeviq në fillim të vitit 2012, kishin themeluar grupin kriminal me qëllim të përfitmit të dobisë pasurore financiare.

Grupi i tij akuzohej se në mënyrë ilegale, në vazhdimësi, kanë sjellë në Kosovë mallra të kontrabanduara, duke përfshirë derivate të naftës e vajra motorike. Në periudhën kohore qershor – dhjetor 2014, të njëjtit me të gjithë pjesëtarët e grupit nga Serbia në Kosovë kanë bërë kontrabandimin e 52 ngarkesave me derivate të naftës, 2 ngarkesave me vaj hidrol dhe 3 ngarkesave me nitrotretës.

Këto mallra më pas janë shpërndarë nëpër qytete të ndryshme të Kosovës me qëllim të përfitimeve të kudnërligjshme, duke bërë shmangien nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore në shumën prej 30.000 eurove.

Besim dhe Ismet Zeqiri janë të përfshirë edhe në  rastin e shënjestruar për liberalizim të vizave, ku 18 persona akuzoheshin për kryerjen e veprave penale që lidhen me krimin e organizuar.

Ndaj dy vëllezërve me të kaluar kriminale dhe të akuzuarve të tjerë, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë në 2016 për kryerjen e veprave penale, “pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar”, “kontrabandim i mallrave”, “tregtia e ndaluar” dhe “shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore”.

/GazetaSinjali/