image Krejt çka ndodhi sot pas vendimit që ndalon hyrjen me targa të Serbisë në Kosovë - Sinjali

Krejt çka ndodhi sot pas vendimit që ndalon hyrjen me targa të Serbisë në Kosovë

news image

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që nga sot të vendoset reciprociteti ndaj Serbisë sa i përket targave të automjeteve. Ky vendim është nënshkruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, shkruan Gazeta Sinjali.

Në vendimin e siguruar nga Sinjali thuhet se në bazë të këtij vendimi obligohen të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në Kosovë të pajisen me targa të përkohshme.

Kurse, për të bërë zbatimin e këtij vendimi Njësia Speciale e Policisë së Kosovës është pozicionuar në pikën kufitare në Jarinje.

No photo description available.

Mirëpo, një vendim i tillë nuk iu ka pëlqyer qytetarëve serbë, të cilët gjatë ditës së sotme kanë dalë të protestojnë duke bllokuar rrugën.

Pakënaqësive të tilla iu përgjigj ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili njoftoi se pas fillimit të zbatimit të reciprocitetit ndaj Serbisë sa i përket targave të automjeteve, situata në veri të vendit është e qetë.

“Situata është e qetë. Policia e Kosovës i ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operative dhe logjistike që të mos pengojnë dhe vonojnë lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave”, ka shkruar ai në Facebook.

Reagime të menjëhershme pati edhe nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Mediat në Serbi raportuan se Vuçiq ka thirrur një seancë urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të martën në orën 10:00 të mëngjesit. Sipas këtyre mediave, tema që do të diskutohet në këtë seancë është vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës.

Edhe Bashkimi Evropian reagoi pas këtyre zhvillimeve në Kosovë. Zëdhënësi i BE-së për Politikë dhe Siguri të Jashtme, Peter Stano, në një konferencë për media tha se po e vëzhgojnë situatën nga afër, derisa u bënë thirrje të dyja palëve të përmbahen dhe të reduktojnë menjëherë tensionet.

“Jemi duke vëzhguar situatën nga afër dhe dua të theksoj liria e lëvizjes është një kusht themelor i BE-së dhe këtë e presim edhe nga Kosova dhe Serbia që ta promovojnë atë. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të përmbahen dhe të reduktojnë tensionet. Menjëherë dhe pa ndonjë vonesë”, tha ai.

Situata në veri po monitorohet nga Policia e Kosovës dhe KFOR-i. Këta të fundit po përdornin helikopterët për të vëzhguar situatën.

news image

Por, ky vendim nuk gjeti zbatim vetëm në pikat kufitare të Kosovës. Në një video të publikuar në rrjetet sociale shihet se si zyrtarët policorë në kryeqytet ia largojnë një veture targat me regjistrim të Serbisë.

Kurse Ministria e Punëve të Brendshme ka kërkuar nga qytetarët të mos i shfrytëzojnë pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinje të Mitrovicës, kjo sipas tyre për shkak të pengesave të mundshme që mund të paraqiten në rrugë. /Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin