image Arrestohet një kosovar nga Serbia nën dyshimet për krime lufte

Siguri

Arrestohet një kosovar nga Serbia nën dyshimet për krime lufte

news image

Një shtetas i Kosovës është arrestuar nga autoritetet serbe në pikëkalimin kufitar të Mutivodës, nën dyshimet për përfshirje në krime lufte, raporton Gazeta Sinjali.

Bëhet fjalë për Osman Selmanin, i cili sipas familjarëve të tij, u ndalua nga policia serbe derisa po kthehej në vendlindje.

Familjarët kanë bërë të ditur se Selmani ndodhet në Prokurorinë për Krime Lufte në Beograd, ndërsa i kanë cilësuar si të pabazuara dhe të pavërteta akuzat e ngritura nga Prokuroria e Serbisë.

“Ne besojmë në pafajësinë e tij dhe do të qëndrojmë pranë tij deri në zbardhjen e plotë të së vërtetës. Kemi besim se drejtësia do të mbizotërojë dhe e vërteta do të dalë në pah. Ju falënderojmë nga zemra për çdo mbështetje, lutje dhe fjalë inkurajuese në këto momente të vështira për familjen tonë”, thuhet në njoftimin e familjarëve të tij.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka konfirmuar arrestimin e një personi në pikëkalimin kufitar të Mutivodës, që lidh Kosovën me Serbinë, nën dyshimet për krime lufte.

Sipas autoriteteve serbe, ndaj O.S., i lindur më 1953, Gjykata e Lartë në Beograd ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Në njoftimin e MPB-së serbe nuk është bërë e ditur në mënyrë të qartë nëse i dyshuari ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/