Gjashtë persona janë arrestuar dhe 32 kilogramë narkotikë të llojit “marihuanë” janë konfiskuar në aksionin e zhvilluar sot nga Prokuroria dhe Policia në fshatin Shirokë të Suharekës, shkruan Gazeta Sinjali.
Prokurorja e rastit Arjana Shajkovci tha në një konferencë për media se katër nga të arrestuarit janë nga Maqedonia e Veriut dhe dy nga Kosova.
Ajo ka bërë të ditur se bastisja është kryer në një objekt shtatë katësh, ku në kulmin e tij është gjetur laboratori, i cili ka shërbyer për kultivimin e bimës kanabis.
Reshat Murseli, drejtor i Drejtorisë për antidrogë, ka thënë se në operacion ku u gjetën 32 kilogramë substancë narkotike, kanë pasur vlerën e mbi një milioni po të arrinin përpunimin përfundimtar.
“32 kg të sasisë narkotike marihuanë janë gjetur në procesin e tharjes në momentin e bastisjes dhe janë gjetur edhe 2 mijë e 59 bimë narkotike kanabis sativa, në madhësi 80cm deri në 2 metra. Po të ktheheshin në peshë të përgjithshme pas përpunimit do arrinin peshën 800 kg dhe blera mbi 1 milion e gjysmë”, tha ai në konferencë.
Ndërkohë, prokurorja ka bërë të ditur se nga ky aksion janë gjetur 32 kilogram narkotik të llojit marihuanë 2 mijë e 59 bimë të mbjellura në saksi, të cilat janë konfiskuar dhe narkotikë që kanë qenë të përgatitura për shitje.
“Vendi ku janë gjetur këto i ka pasur të gjitha pajisjet e nevojshme për kultivimin e bimës kanabis, ku përfshihet ndriçimi i posaçëm, sistemin e ujitjes, sistemin e ajrosjes, peshore, qese dhe sasi të konsideruara të dheut të vendosura në thasë”, ka deklaruar ajo.
Në vendin e ngjarjes, janë sekuestruar tri automjete dhe janë sekuestruar gjashtë telefona celularë, një DVR, një laptop dhe 2 mijë e 185 euro para të gatshme.
Gazeta Sinjali ka siguruar pamje ekskluzive të drogës që prodhohej në këtë laborator që u zbulua në fshatin Shirokë.
Ndërkohë, burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se pronari i mullirit ku është hasur laboratori është Milazim Voci. Ai është kapur në flagrancë bashkë me 5 të dyshuar të tjerë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.