Pas raportimit ekskluziv të Gazetës Sinjali për arrestimin në flagrancë të zyrtares së komunës së Junikut, Blerina Sallaj, bashkëpunëtore e kandidatit të AAK-së për kryetar të kësaj komune, Agron Kuçit, e cila u kap në Aeroportin e Prishtinës, duke tentuar që të dërgojë në Gjermani material të falsifikuar zgjedhor, kanë reaguar nga dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Junik.
Dega e LDK-së në Junik ka shkruar se ndihet e shqetësuar nëse manipulimet e këtij formati kanë ndikuar edhe në rundin e parë të zgjedhjeve të mbajtura më 17 tetor.
“Nëse kryetari në ikje ka vepruar kështu edhe herën e parë, kjo nënkupton se ne do të kishim fituar pa balotazh me 17 tetor”, shkruhet ndër të tjera në postimin e LDK-së.
Tutje ata kanë shtuar se është shqetësues fakti se kryetari aktual i Junikut, Agron Kuçi, nuk është distancuar personalisht nga ky veprim, duke marrë parasysh se dyshohet se në këtë janë të përfshirë edhe familjar të tij.
“Ne kemi lexuar me vëmendje edhe një reagim nga profili në facebook me titull “Aleanca për Junikun”. Me këtë rast, përshtypje na ka bërë fakti që kryetari në ikje nuk është distancuar personalisht nga ky veprim. Sipas portaleve, në këtë rast janë të dyshuar edhe F.K (djali i Agron Kuçit) si dhe M.K (vëllau i Agron Kuçit)”, shkruhet më tutje në postim.
Blerina Sallaj është ndaluar për 48 orë dhe dyshohet se ka kryer veprën penale “dhënie ose marrje të ryshfetit në lidhje me votimin”. Derisa e njëjta është ndaluar për 48 orë, kandidati i AAK-së, Kuçi, ende s’e ka thënë asnjë fjalë lidhur me këtë rast.
Për këtë rast, Sinjali raportoi se të dyshuar janë edhe disa zyrtarë të komunës së Junikut dhe disa aktivistë të AAK-së në diasporë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se dokumentacioni dyshohet se është falsifikuar dje, gjatë paradites në zyrat e komunës së Junikut, shkruan Gazeta Sinjali.
Sot, Sinjali po ashtu raportoi se në Komunën e Junikut ka zbarkuar Drejtoria e Krimeve të Rënda, në kërkim të provave dhe të dyshuarve të tjerë që lidhen me rastin e dokumentacionit zgjedhor që dyshohet se u falsifikua në këtë komunë.
Si u kap Blerina Sallaj dhe çka i gjeti Policia
Ajo ishte nisur për në Gjermani, me ç’rast Policia e Kosovës kishte gjetur në bagazhin e saj me qindra dokumente të votuesve të diasporës në komunën e Junikut të përgatitura paraprakisht, në mënyrë të organizuar në emër të votuesve të Junikut nga diaspora. Me këtë rast Policia ka sekuestruar telefonin e saj dhe një laptop me fletëvotime të diasporës dhe listën e votuesve në Junik për kryetar të komunës së Junikut në zgjedhjet e 14 nëntorit, shkruan Gazeta Sinjali.
Dosja që dyshohet të jetë e falsifikuar përmban kopje të letërnjoftimeve, lista me emra të 200 personave, të përgatitura për votim nga diaspora.
Sallaj ka deklaruar se këtë material ka pasur të ia dërgojë vëllait të kryetarit të komunës së Junikut, Agron Kuçit.
Sipas burimeve të Sinjalit, Blerina Sallaj është një nga bashkëpunëtoret më të ngushta të Agron Kuçit, i cili është kandidat nga AAK për kryetar të Junikut. Dyshohet se e arrestuara në bashkëkryerje edhe me persona të tjerë, ka tentuar që të dërgojë në mënyrë të organizuar votat nga diaspora në mbështetje të kandidatit Agron Kuçi.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.