image Raportimi i Sinjalit/ Dërgohet në mbajtje zyrtarja e komunës së Junikut, dyshohet për ryshfet lidhur me votime - Sinjali

Raportimi i Sinjalit/ Dërgohet në mbajtje zyrtarja e komunës së Junikut, dyshohet për ryshfet lidhur me votime

news image

Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht mbrëmë për arrestimin në flagrancë të zyrtares së komunës së Junikut, Blerina Sallaj, bashkëpunëtore e kandidatit të AAK-së për kryetar të kësaj komune, Agron Kuçit. Ajo u kap në Aeroportin Prishtinës dhe dyshohet se ka tentuar që të dërgojë në Mynih të Gjermanisë material të falsifikuar zgjedhor.

E njëjta tashmë është ndaluar për 48 orë dhe dyshohet për veprën penale dhënie ose marrje e ryshfetit në lidhje me votimet. Lajmin e kanë konfirmuar për Sinjalin nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Lidhur me këtë rast, me aktvendim te prokurorit te shtetit është ndaluar një person ne kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak te dyshimit se ka kryer veprën penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit ne lidhje me votimin”, nga neni 212 te KPRK-se. Lidhur me këtë çështje penale, prokurori i shtetit ne koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë te gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, thuhet në përgjigje.

Për këtë rast, Sinjali mëson se të dyshuar janë edhe disa zyrtarë të komunës së Junikut dhe disa aktivistë të AAK-së në diasporë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se dokumentacioni dyshohet se është falsifikuar sot, gjatë paradites në zyrat e komunës së Junikut, shkruan Gazeta Sinjali.

Si u kap Blerina Sallaj dhe çka i gjeti Policia

Ajo ishte nisur për në Gjermani, me ç’rast Policia e Kosovës kishte gjetur në bagazhin e saj me qindra dokumente të votuesve të diasporës në komunën e Junikut të përgatitura paraprakisht, në mënyrë të organizuar në emër të votuesve të Junikut nga diaspora. Me këtë rast Policia ka sekuestruar telefonin e saj dhe një laptop me fletëvotime të diasporës dhe listën e votuesve në Junik për kryetar të komunës së Junikut në zgjedhjet e 14 nëntorit, shkruan Gazeta Sinjali.

Dosja që dyshohet të jetë e falsifikuar përmban kopje të letërnjoftimeve, lista me emra të 200 personave, të përgatitura për votim nga diaspora. 

Sallaj ka deklaruar se këtë material ka pasur të ia dërgojë vëllait të kryetarit të komunës së Junikut, Agron Kuçit. 

Sipas burimeve të Sinjalit, Blerina Sallaj është një nga bashkëpunëtoret më të ngushta të Agron Kuçit, i cili është kandidat nga AAK për kryetar të Junikut. Dyshohet se e arrestuara në bashkëkryerje edhe me persona të tjerë, ka tentuar që të dërgojë në mënyrë të organizuar votat nga diaspora në mbështetje të kandidatit Agron Kuçi.

Gazeta Sinjali do të ju mbajë të informuar për detaje të reja lidhur me këtë rast.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin