image Ekskluzive: Zyrtarja e komunës së Junikut kapet në flagrancë në aeroportin e Prishtinës, me material të falsifikuar zgjedhor

Ekskluzive

Ekskluzive: Zyrtarja e komunës së Junikut kapet në flagrancë në aeroportin e Prishtinës, me material të falsifikuar zgjedhor

news image

Sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës është kapur në flagrancë zyrtarja e Komunës së Junikut, Blerina Sallaj, bashkëpunëtore e kandidatit të AAK-së për kryetar të kësaj komune, Agron Kuçit. E njëjta dyshohet se ka tentuar që të dërgojë në Mynih të Gjermanisë material të falsifikuar zgjedhor. 

Ajo ishte nisur për në Gjermani me ç’rast Policia e Kosovës kishte gjetur në bagazhin e saj me qindra dokumente të votuesve të diasporës në komunën e Junikut të përgatitura paraprakisht në mënyrë të organizuar në emër të votuesve të Junikut nga diaspora. Me këtë rast Policia ka sekuestruar telefonin e saj dhe një laptop me fletëvotime të diasporës dhe listën e votuesve në Junik për Kryetar të Komunës së Junikut në zgjedhjet e 14 nëntorit, shkruan Gazeta Sinjali.

Dosja që dyshohet të jetë e falsifikuar përmban kopje të letërnjoftimeve, lista me emra të 200 personave, të përgatitura për votim nga diaspora. 

Sallaj ka deklaruar se këtë material ka pasur të ia dërgojë vëllait të kryetarit të Komunës së Junikut, Agron Kuçit. 

Sipas burimeve të Sinjalit, Blerina Sallaj është një nga bashkëpunëtoret më të ngushta të Agron Kuçit i cili është kandidat nga AAK për kryetar të Junikut. Dyshohet se e arrestuara në bashkëkryerje edhe me persona të tjerë, ka tentuar që të dërgojë në mënyrë të organizuar votat nga diaspora në mbështetje të kandidatit Agron Kuçi.

Momentalisht e arrestuara vazhdon të intervistohet si e dyshuar për këtë rast në Drejtorinë e Krimeve të Rënda.

Gazeta Sinjali do të ju mbajë të informuar për detaje të reja lidhur me këtë rast.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/