Sot prej orës 08:00, ka filluar afati kohor për largimin e barrikadave të protestuesve serbë dhe zëvendësimin e Njësisë Speciale të Kosovës me trupat e KFOR-it. Kjo ishte pika e parë e marrëveshjes për targat të nënshkruar në Bruksel, mes Kosovës dhe Serbisë. Mirëpo i gjithë procesi i largimit të barrikadave ka shkuar ngadalë, shkruan Gazeta Sinjali.
Fillimisht është liruar njëra korsi e rrugës në Bërnjak, pastaj edhe një korsi në Jarinje.
Pastaj ura në Bërnjak u zhbllokua dhe kamionët e tjerë u ndezën dhe liruan rrugën.
Mirëpo, deri në lirimin e rrugëve në Jarinje, ka pasur edhe tendencë për përshkallëzim të situatës nga ana e serbëve.
Pasi Njësia Speciale filloi të largohet nga veriu, serbët kanë refuzuar ta largojnë kamionin me mbishkrimin “Mirë se vini në Asociacionin e Komunave Serbe”. E pas këtij veprimi nga serbët, Njësia Speciale është kthyer në pozicionin paraprak.
Mirëpo pas pak minutave është larguar ky kamion dhe tendat e vendosura nga protestuesit. Ndërkaq menjëherë pas tyre, edhe Njësia Speciale. Pas 13 ditësh, rruga që të çon në Jarinje, u zhbllokua.
Ndërsa gjysmë ore para përfundimit të afatit kohor, Njësia Speciale është larguar edhe nga Bërnjaku. Por paraprakisht janë larguar edhe barrikadat e serbëve, shkruan Sinjali.
Largimi i Njësisë Speciale është përcjellur me brohoritje nga protestuesit serbë.
Kështu për tetë orë KFOR-i si ndërmjetësues, ka arritur t’i hapë rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare me Serbinë, Jarinje e Bërnjak.
Nga 20 shtatori, Qeveria mori vendim që të gjitha automjetet që hyjnë nga Serbia në Kosovë duhet të pajisen me targa të përkohshme RKS. Madje për t’u pajisur me këto targa, duhej të paguhej taksa prej 5 euro.
Mirëpo ky vendim, posa filloi të zbatohet, ngjalli pakënaqësi te banorët serbë në Mitrovicën e Veriut. Ata barrikaduan rrugët që çojnë në Bërnjak e Jarinje.
Me barrikadimin e serbëve, edhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës zuri pozicion përkrah tyre.
Dy pikat më kritike të gjithë kësaj tollovie, ishin sulmet në zyret e Regjistrimit të Automjeteve në Zveçan e Zubin Potok.
Madje në Zubin Potok, objekti i komunës ishte kapluar nga flakët. E në Zveçan Policia e Kosovës gjeti dy mjete të pashpërthyera.
Ky akt u dënua nga të gjithë aleatët ndërkombëtarë.
E për qetësim të situatës, thirrje kanë bërë edhe nga Bashkimi Evropian dhe ShBA-ja.
Madje, u desh që të takohen fizikisht dy kryenegociatorët e dy palëve, që të arrihet një pajtueshmëri.
Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq u pajtuan që nga 2 tetori, në të njëjtën kohë, të largohen edhe Njësia Speciale edhe barrikadat. Një pikë tjetër e kësaj marrëveshje parasheh që në vend të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, të vendosen trupat e KFOR-it.
Gjithashtu, nga 4 tetori të dy shtetet do të fillojnë të vendosin etiketa në targa. Ndërsa më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje. /GazetaSinjali/