Gazeta Sinjali sot publikoi dëshmi ekskluzive se si u torturuan disa qytetarë në Prizren nga një rreshter i Njësisë Speciale në Prizren bashkë me katër zyrtarë policorë të tjerë.
Rreshteri i cili bashkë me kolegët e tij, sipas të dëmtuarve ushtroi dhunë e poshtërim ndaj qytetarëve është Sami Hoti, shkruan Gazeta Sinjali.
Kjo ngjarje ishte filmuar pjesërisht nga familjarët e të arrestuarve, pamjet e së cilës u publikuan në Gazetën Sinjali. Asokohe kjo ngjarje ishte perceptuar si veprim i ligjshëm i Policisë, ndërkaq të arrestuarit ishin trajtuar si të dyshuar për veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar” dhe “pengim i personit zyrtar”.
Mirëpo, ajo çfarë u pa në publik nuk pasqyroi as për së afërmi të vërtetën e asaj çfarë ndodhi gjatë transportit të të arrestuarve për në stacionin policor dhe brenda tij, shkruan Gazeta Sinjali.
Në materialet e siguruara nga Sinjali pasqyrohet dhuna e ushtruar nga rreshteri Sami Hoti dhe kolegët e tij, derisa katër personat e prangosur transferoheshin me furgonin e Njësisë Speciale për në stacionin policor në Prizren. Hoti me kolegët e tij përveç që treguan muskujt ndaj qytetarëve duarlidhur, ata pareshtur i fyen e i poshtëruan, duke iu kërkuar edhe që të rriheshin “fer”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.