image Krejt çka dihet deri më tani për vrasjen e 25-vjeçarit në Mitrovicë

Siguri

Krejt çka dihet deri më tani për vrasjen e 25-vjeçarit në Mitrovicë

news image

Gazeta Sinjali sot ka raportuar për vrasjen e 25-vjeçarit Albert Muja që ndodhi pas mesnate në rrugën “Artim Jashari” të Mitrovicës. Sinjali mëson se dy të dyshuarit që gjenden në arrati janë Lundrim Beqiri dhe shoku i tij me inicialet A.Z.

Lundrim Beqiri është vëllai i Valdrin Beqirit, i cili ishte arrestuar para 5 vitesh, për vrasjen me kallashnikov të studentit 21-vjeçar, Valon Sadikut, në rrugën “UÇK”, afër gjimnazit “Frang Bardhi”, në Mitrovicë.

Si ka ndodhur ngjarja?

Lidhur me vrasjen e mbrëmshme, Policia ka njoftuar se ngjarja dyshohet se ndodhi pas një zënke që kishin mes vete Albert Muja dhe dy të dyshuarit, Lundrim Beqiri dhe A.Z.

Gjatë përleshjes dyshohet se viktima është sulmuar me thikë nga të dyshuarit dhe nga plagët e marra ka humbur jetën në QKUK.

Trupi i pajetë i viktimës me vendim të prokurorit është dërguar në IML për obduksion, ndërsa sot pasdite atij i është dhënë lamtumira e fundit.

Policia gjithashtu ka njoftuar se dy të dyshuarit, Lundrim Beqiri dhe shoku i tij me inicialet A.Z. gjenden ende në arrati.

“Rrjedha hetimore është duke vazhduar në koordinim me prokurorin e rastit në drejtim të kapjes së të dyshuarve dhe zbardhjes  së plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin  e veprës penale ”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Gazeta Sinjali gjithashtu ka raportuar se gjatë ditës së sotme është konfiskuar një veturë e cila dyshohet se është përdorur gjatë vrasjes së 25-vjeçarit.

Këtë e ka konfirmuar për Sinjalin, zëdhënësi i Policisë së Mitrovicës, Avni Zahiti.

Është konfiskuar një veturë që dyshohet se është përdorur gjatë vrasjes, ndërsa të dyshuarit janë ende në arrati“, ka thënë ai.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/