image I jepet lamtumira e fundit 25-vjeçarit që u vra mbrëmë në Mitrovicë

Sociale

I jepet lamtumira e fundit 25-vjeçarit që u vra mbrëmë në Mitrovicë

news image

Në varrezat e qytetit të Mitrovicës në Shipol, i është dhënë lamtumira e fundit 25 vjeçarit Albert Muja, që mbeti i vdekur pas therjes me thikë mbrëmë pas mesnate në rrugën “Artim Jashari” në Mitrovicë. Sinjali mëson se dy të dyshuarit që gjenden në arrati janë Lundrim Beqiri dhe shoku i tij me inicialet A.Z.

Në varrimin e të ndjerit po marrin pjesë familjarë, miq e dashamirë të familjes Muja.

Sipas Policisë së Kosovës, viktima vdiq në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pas trajtimit të marrë në Spitalin Rajonal në Mitrovicë.

Ai nuk mund t’iu mbijetonte plagëve të marra nga mjeti i mprehtë pas një mosmarrëveshje të çastit me të dyshuarin Lundrim Beqiri nga Mitrovica.

Ky i fundit që sipas Policisë ka të kaluar kriminale, bashkë edhe me shokun e tij me iniciale A.Z është në kërkim nga forcat e rendit. 

Gjatë ditës së sotme është konfiskuar një veturë e cila dyshohet se është përdorur gjatë vrasjes së 25-vjeçarit.

Këtë e ka konfirmuar për Sinjalin, zëdhënësi i Policisë së Mitrovicës, Avni Zahiti.

Është konfiskuar një veturë që dyshohet se është përdorur gjatë vrasjes, ndërsa të dyshuarit janë ende në arrati“, ka thënë ai.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/