image Gjithçka që dihet deri tani për sulmin seksual ndaj të miturës në Prishtinë, rasti po trajtohet në heshtje

Arsim

Gjithçka që dihet deri tani për sulmin seksual ndaj të miturës në Prishtinë, rasti po trajtohet në heshtje

news image

Një e mitur në Prishtinë, që fillimisht u pretendua se ishte nxënëse e klasës së parë në shkollën fillore “Faik Konica”, është ngacmuar seksualisht, shkruan Gazeta Sinjali.

Deklarata të ndryshme erdhën nga autoritetet kompetente, përfshirë, Drejtorinë e Arsimit në Prishtinë, Ministrinë e Arsimit, Qendrën për Mirëqenie Sociale dhe kryetarin e Prishtinës.

Rasti po trajtohet porse askush ende nuk ka dhënë detaje të hollësishme se çfarë masash janë ndërmarrë.

Së fundmi, kryetari Shpend Ahmeti ka hedhur poshtë dyshimet se e mitura është nxënëse. Ai tha se e mitura është nën moshën 6-vjeçare dhe nuk është nxënëse e klasës së parë të kësaj shkolle, sipas tij, ajo ende nuk është nxënëse e asnjë shkolle.

Ahmeti ka thënë se ngjarja ka ndodhur më 24 prill të këtij viti jashtë hapësirave të shkollës, dhe sipas tij, ka qenë ditë e shtune.

“Lajmi është publikuar me 15 Maj por ka ndodhur me 24 Prill. Ka qenë e shtune dhe jashtë hapësirave të Shkollës. Vajza e mitur është e moshës nën 6 vjeç dhe nuk është në Shkollë ende. Vetëm njëri prej personave të paraqitur është në Shkollë”, shkroi Ahmeti.

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka thënë se rastin do ta trajtojë me prioritet dhe kujdes të veçantë.

“Në lidhje me shkrime dhe statuse të shumta që janë publikuar sot rreth një rasti që dyshohet të ketë ndodhur në afërsi të një shkolle në kryeqytet. Edhe pse nuk kemi ende informata zyrtare, ju siguroj se do ta trajtojmë me prioritet dhe kujdes të veçantë. Besoj se njëjtë do të veprojnë të gjitha institucionet kompetente”, ka thënë Nagavci.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, ka thënë se shkolla është udhëzuar më pas nga Drejtoria e Arsimit në komunën e Prishtinës që të veprojnë sipas protokolleve dhe se rasti është paraqitur tek institucionet përgjegjëse.

“Shkolla është udhëzuar nga DKA që bashkë me organet udhëheqëse, të veprojnë sipas protokolleve për trajtimin e rasteve të tilla, gjë të cilën edhe e kanë bërë. Organet udhëheqëse të shkollës me kohë kanë marrë të gjitha veprimet e duhura, sipas protokollit dhe rasti është paraqitur te institucionet përgjegjëse për trajtim”, ka thënë Shala.

Sinjali ka kontaktuar edhe me Qendrën për Punë dhe Mirëqenie Sociale. Drejtori Dren Kukaj, shkurtimisht ka thënë se rasti po trajtohet.

Në kuadër të përgjegjësive dhe kompetencave të saj, Qendra për Pune Sociale do të ndërmarr veprimet e saj në bashkëpunim me akterët e tjerë. Tani për tani nuk mund të japim më tepër informata për rastin”, tha Kukaj për Gazetën Sinjali.

Për këtë rast, të hënën do të protestohet.

Kolektivi për Mendim Kritik dhe Veprim Feminist do të mbajë të hënën protestë para Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për sigurinë e vajzave në shkolla.

Sipas njoftimit dërguar mediave, protesta do të nis nga ora 12:00.

“Dje, në shkollën ‘Faik Konica’ u bë publik rasti i një sulmi seksual ndaj një nxënëse në klasën e parë nga tre nxënës të klasës së shtatë. Ky rast, i cili nuk mund të lexohet si rast i izoluar, është duke e shpërfaqur edhe një herë, në mënyrë të frikshme realitetin e vajzave”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, edhe nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar rastin.

Nga zyrtarët e shkollës kemi pranuar një informacion me ndjeshmëri, i cili është trajtuar në koordinim me drejtuesit e shkollës, zyrtarët e Qendrës për Punë dhe Mirëqenie Sociale si dhe Prokurorin e shtetit. Për shkak të moshës së personave të përfshirë në këtë ngjarje dhe rrethanave specifike, me rekomandim të prokurorit, rasti po trajtohet nga Qendra për Punë dhe Mirëqenie Sociale”, njoftoi Policia për Gazetën Sinjali.

/Gazeta Sinjali/