Ka shkuar në pesë numri i të arrestuarve për dy grabitjet me thikë që tronditën Prishtinën në orët e para të 11 korrikut, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se, pas arrestimit të Fatjon Arifit rreth 19 vjeç Fatlum Arifit rreth 19 vjeç, Leart Kabashit rreth 20 vjeç dhe Flamur Krasniqit rreth 19 vjeç, hetuesit kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë edhe një person tjetër që dyshohet se ishte pjesë e grupit.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për L. Prokshin rreth 18 vjeç, i cili u arrestua më 13 korrik, pas veprimeve të mëtejshme hetimore të zhvilluara nga hetuesit e Stacionit Policor “Jugu” në Prishtinë.
Sipas dosjes hetimore, grupi dyshohet se qëndron pas dy grabitjeve të kryera nën kërcënimin e thikës në kryeqytet.
Rasti i parë kishte ndodhur në parkingun e Qendrës Tregtare në rrugën “Fehmi Lladrovci”, ku viktimës A. K. rreth 31 vjeç iu grabitën rreth 30 euro nën kërcënimin e një mjeti të mprehtë.
Po atë natë, një tjetër grabitje u raportua edhe në rrugën “Lekë Dukagjini”, ku viktimë ishte një i mitur me inicialet N.K. rreth 16 vjeç.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se Lorik Prokshi është intervistuar në prani të mbrojtësit, ndërsa me vendim të Prokurorit për të Mitur i është caktuar masa e ndalimit prej 24 orësh.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar dhe Policia po punon për zbardhjen e plotë të rolit të secilit prej të dyshuarve në këto grabitje.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!