image Drejtoresha e DKA-së në Prishtinës sqarohet rreth ngacmimit seksual ndaj të miturës

Arsim

Drejtoresha e DKA-së në Prishtinës sqarohet rreth ngacmimit seksual ndaj të miturës

news image

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, ka reaguar për lajmet e publikuara në media për ngacmimin seksual ndaj një vajze të mitur në oborrin e një shkolle fillore të Prishtinës.

Sipas Shalës, shkolla është udhëzuar më pas nga Drejtoria e Arsimit në komunën e Prishtinës që të veprojnë sipas protokolleve dhe se rasti është paraqitur tek institucionet përgjegjëse.

Dje, në disa media ka qarkulluar një video, me pretendimet se disa fëmijë kanë bërë ngacmim seksual ndaj fëmijës tjetër, në oborrin e një shkolle gjatë vikendit. Dua të sqaroj për publikun se ngjarja, sipas njoftimit nga shkolla, ka ndodhur para datës 24 prill 2021, kur shkollës i është dërguar në mënyrë anonime një video përmes rrjetit social, të cilën, dje më 15 maj, portali Syri. net e ka postuar në media elektronike. Shkolla është udhëzuar nga DKA që bashkë me organet udhëheqëse, të veprojnë sipas protokolleve për trajtimin e rasteve të tilla, gjë të cilën edhe e kanë bërë. Organet udhëheqëse të shkollës me kohë kanë marrë të gjitha veprimet e duhura, sipas protokollit dhe rasti është paraqitur te institucionet përgjegjëse për trajtim”, ka thënë Shala përmes një statusi në Facebook.

Lidhur me deklaratën e saj për një media në të cilën e quan “lojë fëmijësh”, atë që është publikuar, Shala ka sqaruar se në momentin kur e ka cilësuar të tillë, ajo ende nuk e kishte parë videon.

 “Sa i përket, deklarimit tim se është një është “lojë fëmijësh”, dua të sqaroj se në momentin e dhënies se kësaj deklarate për Kallxo. com, videon nuk e kam parë dhe i jam referuar gjendjes së zakonshme kur fëmijët gjatë vikendit luajnë në oborr të shkollës dhe fushë sportive, fëmijë këta kryesisht të lagjeve në afërsi të shkollës, meqë oborri i shkollës ka qenë i hapur për çasje. Në asnjë mënyrë nuk kam menduar ta quaj “lojë fëmijësh” ndonjë skenë, në të cilën dyshohet se ka pasur ngacmim seksual, skenë të cilën nuk e kam parë dhe nuk kam qenë në gjendje ta vlerësoj”, ka sqaruar ajo.

Tutje, Shala ka kërkuar nga mediat dhe publiku që të jenë të kujdesshëm në trajtimin e këtij rasti.

 “DKA në vazhdimësi në bashkëpunim me organet udhëheqëse të shkollave, me psikologët e shkollave, Policinë e Kosovës dhe organizata të ndryshme, do të iu ofrojë nxënësve ligjerata dhe aktivitete të ndryshme që kanë të bëjnë me vetedijësim ndaj dukurive negative në mënyrë që të ngrisin kulturën dhe vetëdijen ndaj rasteve dhe gjesteve të tilla. Këto raste negative mund të tejkalohen vetëm me një bashkëpunim të ngushtë në mes prindëve dhe insititucioneve edukativo – arsimore”, ka përfunduar reagimin e saj Shala. /Gazeta Sinjali/