image Suspendohet rreshteri policor që bashkë me oficerin korrektues dhe vëllain e tyre u përfshinë në një përleshje të fëmijëve - Sinjali

Suspendohet rreshteri policor që bashkë me oficerin korrektues dhe vëllain e tyre u përfshinë në një përleshje të fëmijëve

news image

Gazeta Sinjali sonte raportoi për arrestimin e një rreshteri policor (emër i njohur për redaksinë), një oficeri korrektues dhe vëllait të tyre për përfshirje në një përleshje mes fëmijëve që kishte ndodhur më 5 shtator të këtij viti në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

Raportimin e Gazetës Sinjali e ka konfirmuar Inspektorati Policor i Kosovës përmes një komunikate për media, në të cilën bëhet e ditur se ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe se zyrtari policor i përfshirë në këtë rast është suspenduar.

“Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka arrestuar sot tre të dyshuar, një zyrtar policor, një zyrtar të shërbimit korrektues dhe një qytetar, me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor në bashkëkryerje…duke iu referuar një incidenti më 5 tetor 2020 në rrugën “Rrustem Statovci” në Prishtinë”, thuhet në kumtesën e IPK-së.

Lidhur me këtë incident ishte hapur rast edhe në Policinë e Kosovës i cili pastaj bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së i ishte dorëzuar hetuesve të IPK-së.

“Pas këtyre veprimeve hetimore është konsultuar edhe prokurori kompetent dhe tre të dyshuarve në këtë rast me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar”, njofton IPK-ja.

Gazeta Sinjali raportoi pak më parë se zyrtari policor i cili është suspenduar tani, së bashku me dy vëllezërit e tij, njëri prej tyre oficer korrektues, kanë shkuar te vendi ku ndodhi përleshja mes fëmijëve dhe dyshohet se zyrtari policor e kishte mbajtur si thes boksi fëmijën që ai e fajësonte për rrahjen e djalit të tij dhe ia mundësoi të birit, që në shenjë hakmarrje ta godiste me grushte atë, gjersa ai ndodhej në duart e zyrtarit policor, pa mundësi për t’u mbrojtur./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin