Rasti i De Ligt në sfidën e mbrëmshme mes Torinos dhe Juventusit ka bërë jehonë të madhe, sidomos në mediat italiane. Holandezi preku topin me dorë në zonë qartësisht, me lojtarët e Torinos që kërkuan menjëherë 11-metërsh.
Gjithsesi, arbitri kryesor Doveri nuk ishte i këtij mendimi. E njëjta gjë edhe për gjyqtarët që ndodheshin te sistemi VAR. Vendimi i Doverit duket absurd, por ky i fundit mund të justifikohet me rregulloren e re, që supozohet se një prekje me dorë në zonë nuk jepet 11-metërsh në tre raste.
Arbitri Doveri mund të justifikohet, por problemi qëndron që i njëjti rast me atë që ndodhi mbrëmë, ishte edhe javën e shkuar, më saktë në 26 tetor, kur Juventus luante në fushën e Leçes. I njëjti ekip, madje i njëjti lojtar, Matthijs De Ligt. Një prej lojtarëve të Leçes devijoi topin, që shkoi në dorën e De Ligt. Arbitri Valeri akordoi menjëherë 11- metërsh, duke mos pasur asnjë dyshim.
Kthehemi përsëri te ndeshja e mbrëmshme, ku pas topit të devijuar nga Belotti, De Ligt e prek qartë me dorë. Për Doverin nuk ka asgjë dhe loja vijon normalisht.
Rastet janë gati të njëjta, por vlerësimi dhe vendimi janë të ndryshëm krejtësisht. Sistemi VAR dhe arbitrimi në Itali duken në kaos total, ku tashmë askush nuk di se kë duhet të besojë dhe se në çfarë rregullore duhet të bazohet./Gazeta Sinjali/