image Prindi që publikoi videon e vajzës së shtrirë në rrugë, rrëfen sesi e kaloi natën 18-vjeçarja dhe ku ndodhet tani?

Shëndetësi

Shëndetësi/ Prindi që publikoi videon e vajzës së shtrirë në rrugë, rrëfen sesi e kaloi natën 18-vjeçarja dhe ku ndodhet tani?

news image

Vajza 18-vjeçare, E.Goxhuli nga Prishtina, e cila një natë më parë u pa e shtrirë në rrugën “UÇK” në kryeqytet teksa nuk po i ofronte askush ndihmë mjekësore, është shtrirë sot në Klinikën Infektive lidhur me dyshimet për koronavirus. Asaj i është bërë testi për Covid-19 dhe është në pritje të rezultatit. Këtë e ka konfirmuar prindi i vajzës, Januzi, i cili rrëfen komplet rastin për Gazetën Sinjali.

Ashtu siç u dëgjua edhe mbrëmë në video, prindi i 18-vjeçares Januz Goxhuli, thotë se për shkak se mjekët si ofruan ndihmë e as Emergjenca nuk erdhi për ta marrë, vajzën u detyruan ta kthejnë në shtëpi, ku i çeli mëngjesi bashkë.

“Kerkush s’ka ardha as s’më  ka thirrë kerkush. Vajzën e ka dërgu sot gruaja në Spital në orën 08:00 në mëngjes, është e shtrirë në Infektivë. E kanë ndalë aty, një test ja kanë bërë, po i pret rezultatet. Mbrëmë në atë gjendje e kemi kthy në shtëpi, prapa neve janë kanë mbi 30 policë dhe një veturë e Njësisë Speciale. As policia s’me bonën hall as s’guxuan… Ka pas çika temperaturë, dy herë ja kemi hek rrobat se ujë u bojke- qull prej temperaturës. Hapa i kemi dhënë për temperaturë…Mëngjesi na ka çelë me të”, rrëfen Goxhuli për Gazetën Sinjali.

Prishtinasi thotë se për rastin e vajzës nuk e ka kontaktuar askush dhe për këtë situatë ndihet i dëshpëruar.

“Kerr timin nuk kisha me çu në Emergjencë ose në Infektivë. Mi dhanë do numra Shtëpia e Shëndetit, as temperaturën nuk ja matën as sju kanë ofru çikës hiq. Jam i dëshpëruar. Askush s’më ka thirrë, as mjekët, as policia, as kryetari i komunës. Edhe vete jam smutë, po kam problem me frymëmarrje se di a kam virus”, thotë më tej ai.

Goxhuli fton organet e drejtësisë ta hetojnë këtë rast, shton se publikimi i videos së mbrëmshme nuk ka asnjë prapavijë politike siç e kanë cilësuar disa komentues.

“Kam qef rastin me hetu organet më të larta shtetërore, tek e fundit edhe EULEX apo edhe najkush prej Amerikës me ardhë, veç unë që jam kanë pa asnjë qëllim politik. Pa prapavijë politike, për shkak të vajzës që ka qenë sëmurë dhe më ka bë me u ndi shumë keq”, tha ai.

Për ngjarjen që shokoi shumë persona, Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, i cili konfirmoi se rasti në fjalë po hetohet nga Inspektorati Shëndetësor.

“Ky rast është dërguar për hetim në autoritetet përkatëse dhe në Inspektoratin Shëndetësor për të ndriçuar të vërtetën”, tha Hoti për Gazetën Sinjali.

Ndryshe, Gazeta Sinjali ka raportuar mbrëmë rastin ku prindi jep detaje për tentativën e tij për ta dërguar vajzën te mjeku. Në linkun më poshtë mund t’i shihni pamjet e publikuara nga prindi./ Gazeta Sinjali/