Policia e Kosovës është duke e fshehur rastin e raportuar ekskluzivisht nga Gazeta Sinjali, ku një paciente po pretendon se është sulmuar fizikisht nga doktori i spitalit “Euromed” Saudin Maliqi me derën e veturës së tij.
Gazeta Sinjali, ka provuar që nga dita e djeshme të marr informata shtesë lidhur me këtë rast, por që askush nuk ka qenë në gjendje që të jap informacione për sulmin fizik të pretenduar.
Zyrtari për informim i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, ka thënë se të gjitha rastet paraqiten në raportin 24-orës.
“Policia e Kosovës rastet i paraqet në raportin 24-orësh”, ka thënë shkurt ai.
Por në raportin 24-orësh, Policia e Kosovës nuk e ka raportuar fare sulmin fizik të pretenduar nga pacientja, përkundër se konfrontimi fizik ishte konfirmuar tërthorazi nga vetë mjeku, Saudin Maliqi për Gazetën Sinjali.
E gjithë ngjarja kishte ndodhur pasditen e së enjtes në parkingun e “Euromed” në Fushë-Kosovë, ku pacientja pretendon se u sulmua fizikisht nga doktori Saudin Maliqi. Pas sulmit ajo kishte kërkuar ndihmë mjekësore në njërën nga Qendrat e Mjekësisë Familjare, ku rasti ishte cilësuar si ushtrim i dhunës.
Saudin Maliqi kishte mohuar se kishte sulmuar fizikisht pacienten gjatë një bisede me Gazetën Sinjali. Ai kishte thënë se nuk e kishte prekur fare, por që thotë se sigurimi e ka larguar për t’ia lëshuar rrugën atij.
“Jo, jo nuk është e vërtetë. Unë e kam dhënë dëshminë time edhe ajo të vetën. Nuk është e vërtetë që e kam sulmu, as hiç. Kurrgjë nuk ka të vërtete nga ajo, hiç. Ka qenë një shpikje. As nuk e kam prekë me dorë, as me kerr, as me kurrgjë. Kurrgjë nuk është ky rast, hiç”.
“Ajo është anku, ndoshta ka pasë qejf me u anku, por kurrgjë s`ka aty”.
“Po, ka qenë paciente e sende… por rrugës roja e ka lutë me lëshuar rrugën, e kanë shty me lëshu rrugën. Kurrgjë tjetër s`ka pasë. Nuk ka pasë ajo problem me mu. Roja e sigurisë së parkingut e ka shty me lëshu rrugën. Kurrgjë punë me mu s`ka pasë ajo”, kishte deklaruar disa herë kirurgu torakal, Saudin Maliqi.
Kur ishte pyetur spitali për këtë rast, zyrtari për informim nga “Euromed” ka thënë se Saudin Maliqi nuk kishte qenë në punë prej tri ditëve.
“Nuk jemi të informuar për këtë rast sepse Dr. Saudini që tri ditë nuk është në klinikë. Të hën ka qenë së fundmi, të marten, të mërkurën dhe dje nuk ka qenë këtu. Para tri dite ka qenë me i kry kontrollat si zakonisht edhe ka shku. S’jemi të informuar për asnjë incident. As sigurimi i spitalit nuk na ka thënë që ka pasur ndonjë incident, kurrkush nuk na ka informu”, i ka thënë gazetës një zyrtare për media në spitalin ‘Euromed’”, kishte deklaruar zyrtari për informim nga ky spital./Gazeta Sinjali/