Stefano Pioli ka diskutuar për gjasat e Rafael Leaos për një largim të mundshëm nga San Siro si dhe ka folur për ndikimin e Zlatan Ibrahimovic jashtë fushe.
Kuqezinjtë kishin përfunduar të dytët sezonin e kaluar pas rivalëve të qytetit Inter dhe luftuan në raundin e fundit me ta përsëri këtë sezon përpara se të fitonin Scudetton e tyre të parë që nga 2010-11.
Trajneri tani është në pushimet e tij verore në Forte dei Marmi dhe ka dhënë një intervistë për programin “RAI 3 Che Tempo Che Fa”.
Pioli u pyet për ofertat e Rafael Leaos nga klubet e tjera por është shprehur optimist se ai do të qëndrojë.
Rafael Leao ka qenë i lidhur me një ofertë nga Real Madrid si dhe disa skuadra të Premier League.
“Me sa di unë, ai do të qëndrojë në Milan. Unë sigurisht shpresoj kështu, dhe mendoj se është kështu. Ai ka ende një mundësi reale për përmirësim“, është shprehur Pioli.
Tekniku italian foli edhe për Zlatan Ibrahimovicin i cili do t’i nënshtrohet një operimi ku do të mungojë gjatë.
Ibrahimovic nuk do të jetë i disponueshëm për shtatë deri në tetë muajt e ardhshëm pas operacionit në gju, por 40-vjeçari nuk ka ndërmend të tërhiqet.
“Mezi priste të hynte në operim, pasi vuajti gjithë këta muaj. Zlatan më ndihmoi të rritesha, ai i dha të gjithë ekipit atë mentalitet dhe besim. Ai është personi më inteligjent dhe më i pëlqyeshëm që njoh në futboll. Ibrahimovic iu nënshtrua operacionit sepse donte të vazhdonte të luante dhe ai ka ende më shumë për të dhënë“, ka theksuar Pioli.