image "Nuk do të dorëzohem derisa të kapet"/ Flet babai i vajzës 14-vjeçare që dyshohet se e dhunoi Sadat Fejzi

Siguri

“Nuk do të dorëzohem derisa të kapet”/ Flet babai i vajzës 14-vjeçare që dyshohet se e dhunoi Sadat Fejzi

news image

Janë bërë më shumë se 1 muaj prej kur Policia e Kosovës e ka shpallur në kërkim Sadat Fejzin nga fshati Mogillë i Kllokotit, i cili dyshohet se më 13 gusht e ka dhunuar vajzën 14-vjeçare, të gruas së tij, por i njëjti ende nuk është kapur.

Sinjali ka raportuar ekskluzivisht për këtë rast të trishtë, ku Fejzi dyshohet se e ka dhunuar vajzën e mitur të gruas së tij, të cilën ajo e kishte nga një martesë e mëhershme.

Babai i vajzës së mitur, ish-burri i gruas së Sadat Fejzit ka thënë për Sinjalin se po ndihet jashtëzakonisht keq pasi sipas tij institucionet në Kosovë nuk po arrijnë të bëjnë asgjë për këtë rast.

“Nuk do të dorëzohem dhe do ta çoj drejtësinë deri në fund, derisa të kapet. Ndihem i neglizhuar që nuk po bëhet asgjë në këtë drejtim. Si nuk po munden ta kapin dikë që dy muaj. Kjo është e tmerrshme…”, tha ai për Sinjali.

Kujtojmë se për këtë rast të dhunimit mediat nuk u njoftuan nga Policia dhe kështu u fsheh nga publiku se një burrë dyshohet se e ka dhunuar vajzën e gruas së tij.

Pas interesimit të Sinjalit për ta konfirmuar zyrtarisht këtë rast, Prokuroria Themelore në Gjilan njoftoi muajin e kaluar se Sadat Fejzi gjendet ende në arrati, pasi dyshohet se e ka dhunuar një të mitur.

Sadat Fejzi, në ditën kur u shpall në kërkim, u lajmërua në Gazetën Sinjali, duke e mohuar se e ka kryer veprën penale të dhunimit. Ai tha se “ia ka dhënë dy-tri shuplaka”, gruas së tij, për shkak të disa mosmarrëveshjeve.

 “Kush e dhunon gruan e kurorëzume, këtë mbane mend. Para një jave ka ndodhë disa mosmarrëveshje, ja kom jep nashta nja dy tri shuplaka, jo më shumë. Edhe dikush e ka lajmëru Policinë. Mu shumë më njohin, kom qenë drejtor i televizionit Dardania“, tha Fejzi për Gazetën Sinjali.

Ky rast, është ndër shumë rastet e tjera, të tmerrshme që po ndodhin në Kosovë, e shumë herë po kthehen edhe në ngjarje tragjike.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/