Një arsenal armësh dhe municioni është zbuluar mëngjesin e së mërkurës në një shtëpi të vjetër e të pabanuar në fshatin Lucka Rekë të Zubin Potokut, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se aksioni është zhvilluar pas informatave operative të siguruara nga Njësia e Reagimit të Shpejtë në Veri, e cila ka lokalizuar lokacionin ku dyshohej se fshiheshin armë dhe municion.
Pas daljes në vendin e ngjarjes, njësitë policore kanë sekuestruar: një armë të gjatë gjysmëautomatike; 392 fishekë të kalibrit 7.62 mm; 123 fishekë të kalibrit 7.9 mm; 15 fishekë të pushkës së gjuetisë; 11 fishekë të tjerë për armë gjahu; 3 fishekë manovrues; 18 fishekë për armë të shkurtër; 2 fishekë për armë të gjatë; 6 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm; një bajonetë; një kuti të ndihmës së parë me mbishkrimin “LDP”; si dhe 3.740 dinarë serbë të viteve të ndryshme, të cilët rezultojnë të jenë jashtë qarkullimit.
Sipas burimeve, deri në këtë fazë të hetimeve nuk është identifikuar pronari i shtëpisë ku u gjet arsenali, ndërsa rasti është iniciuar për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” ndaj personave të panjohur.
Hetimet janë në vazhdim, me qëllim identifikimin e personave që mund të kenë fshehur armët dhe municionin në objektin e braktisur.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!