Personi që dyshohet se qëndron pas plagosjes me armë zjarri të një qytetari në Pejë është vetëdorëzuar në Polici, pas disa orësh kërkimesh intensive dhe bastisjes së shtëpisë së tij nga hetuesit, raporton Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Butrint Krasniqi rreth 29 vjeç, ndaj të cilit tashmë është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, nën dyshimin për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”.
Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja kishte ndodhur në rrugën “Mbreti Piro” në Pejë, ku pas të shtënave me armë zjarri një person mbeti i plagosur rëndë, ndërsa autori u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes me një Volkswagen Tiguan me ngjyrë hiri.
Viktima u godit me pesë plumba, duke pësuar plagë në gjoks dhe në këmbën e majtë. Pas ndihmës së parë në Spitalin Rajonal të Pejës, ai u transferua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. Sipas mjekëve, gjendja e tij është stabile.
Menjëherë pas sulmit, në vendin e ngjarjes dolën njësitë e Hetimeve të Stacionit Policor, Hetimet Rajonale, Krim-Teknika Rajonale, Drejtori Rajonal i Policisë, Shefi i Sektorit Rajonal të Hetimeve dhe Prokurori kujdestar i Krimeve të Rënda.
Gjatë veprimeve hetimore, Policia kreu kontroll dhe bastisje në shtëpinë e Butrint Krasniqit, ku u sekuestruan prova materiale që lidhen me rastin.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se pas disa orësh në arrati, 28-vjeçari u vetëdorëzua në Polici, ku u sekuestruan edhe prova të tjera me interes për hetimin.
Gjatë intervistimit, ai ka shfrytëzuar të drejtën ligjore për t’u mbrojtur në heshtje.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, Butrint Krasniqi është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të motivit dhe rrethanave të plagosjes po vazhdojnë nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Pejë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!