image Policia e mbajti larg mediave rastin e Sadat Fejzit që dyshohet se e dhunoi vajzën 14-vjeçare të gruas së tij

Siguri

Policia e mbajti larg mediave rastin e Sadat Fejzit që dyshohet se e dhunoi vajzën 14-vjeçare të gruas së tij

news image

Gazeta Sinjali sot raportoi se personi që po kërkohet nga Policia, Sadat Fejzi, nga fshati Mogillë i Kllokotit, dyshohet se e ka dhunuar vajzën 14-vjeçare, të gruas së tij, më 13 gusht. Sinjali nga dje ka raportuar lidhur me këtë rast, për të cilin ka marrë informacione nga sinjalizuesit. Por ky rast ndonëse u denoncua që 2 javë, i njëjti u mbajt larg syrit të mediave. Policia nuk njoftoi për këtë ngjarje të trishtë as në raportet 24-orëshe, e as përmes ndonjë komunikate për media.

Sinjali raportoi se Fejzi, dyshohet se përveç që ka ushtruar dhunë fizike ndaj gruas së tij, e ka dhunuar edhe vajzën e saj, të mitur, të cilën gruaja e tij e kishte nga një martesë e mëhershme.

Për këtë rast të dhunimit mediat nuk u njoftuan nga Policia dhe kështu u fsheh nga publiku se një burrë dyshohet se e ka dhunuar vajzën e gruas së tij. I njëjti ende nuk është arrestuar, por thotë se është në bashkëbisedim me institucionin, i cili e ka shpallur në kërkim.  

Pas interesimit të Sinjalit për ta konfirmuar zyrtarisht këtë rast, Prokuroria Themelore në Gjilan njoftoi se Sadat Fejzi gjendet ende në arrati, pasi dyshohet se e ka dhunuar një të mitur

“Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës, kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në mënyrë që të lokalizohet vendndodhja e të dyshuarit S.F. dhe i njëjti të arrestohet, pasi dyshohet se më 13 Gusht 2021, në komunën e Kllokotit, ka dhunuar një të mitur, i cili për momentin gjendet në arrati”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Sinjalin.

Por dje, nga arratia u lajmërua në Gazetën Sinjali, Sadat Fejzi, si i dyshuar për “dhunim”. Ai e mohoi se ka kryer këtë vepër penale, por vetëm tha se “ia ka dhënë dy-tri shuplaka”, gruas së tij, për shkak të disa mosmarrëveshjeve.

 “Kush e dhunon gruan e kurorëzume, këtë mbane mend. Para një jave ka ndodhë disa mosmarrëveshje, ja kom jep nashta nja dy tri shuplaka, jo më shumë. Edhe dikush e ka lajmëru Policinë. Mu shumë më njohin, kom qenë drejtor i televizionit Dardania“, tha Fejzi për Gazetën Sinjali.

Në deklarimin e tij për Sinjalin, Fejzi po ashtu tha se është në bashkëbisedim me Policinë, edhe pse kjo e fundit njoftoi se e ka shpallur në kërkim të njëjtin. Ai madje tha se sot do të vetëdorëzohet në Polici, edhe pse një gjë të tillë, ende nuk e ka bërë.

Ky rast, është ndër shumë rastet e tjera, të tmerrshme që po ndodhin në Kosovë, e shumë herë po kthehen edhe në ngjarje tragjike.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/