image Ekskluzive | Shkuan për një rast kanosjeje, Policia zbulon arsenal armësh në një restorant në Ferizaj, 4 të arrestuar

Sinjalizime

Ekskluzive | Shkuan për një rast kanosjeje, Policia zbulon arsenal armësh në një restorant në Ferizaj, 4 të arrestuar

news image

Një rast i raportuar fillimisht si kanosje ka çuar në një aksion policor në Ferizaj, ku janë arrestuar katër persona dhe janë sekuestruar katër armë zjarri me dhjetëra fishekë, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se gjithçka nisi pasi një qytetar denoncoi në Polici se ishte kërcënuar nga disa persona.

Pas veprimeve intensive operativo-hetimore, hetuesit arritën t’i lokalizonin të dyshuarit në ambientet e një restoranti në fshatin Babush, ku gjatë kontrollit u zbuluan dhe u sekuestruan katër pistoleta, disa karikatorë dhe 98 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Sipas informacioneve, gjatë ekzaminimit është konstatuar se 10 fishekë dyshohet se janë municion zyrtar i Policisë së Kosovës, pasi mbanin shenjat identifikuese të institucionit. Për këtë rast është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).

Të gjitha armët dhe municioni janë sekuestruar si prova materiale, ndërsa katër të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin policor dhe janë intervistuar. Dy prej tyre kanë dhënë deklaratë në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa dy të tjerët kanë zgjedhur të mbrohen në heshtje.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të katërt janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për veprat penale “Kanosja”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.

Hetimet janë në zhvillim për të sqaruar motivin e konfliktit, prejardhjen e armëve dhe mënyrën se si një pjesë e municionit të dyshuar zyrtar ka përfunduar në posedim të personave të arrestuar.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/