image Kush është Mexhait Qerimi, i dyshuari i drogës që gjuajti me armë zjarri policët dhe iku
[wp-story id="814678"]

Ekskluzive

Kush është Mexhait Qerimi, i dyshuari i drogës që gjuajti me armë zjarri policët dhe iku

news image

Policia e Kosovës, të mërkurën zhvilloi një aksion që rezultoi me një person të arrestuar dhe kapjen e 91 kilogramëve marihuanë. Por prangave të Policisë arriti t’iu ikë një person. Sinjali pak më parë raportoi se i arrestuari është Fehmi Mustafa ndërsa i arratisuri është Mexhait Qerimi, ndërsa tani iu sjellë detaje se kush është Mexhait Qerimi.

Në shtëpinë e Qerimit, Policia e Kosovës atë natë kishte kryer një kontroll, mirëpo nuk kishte gjetur asgjë të dyshimtë.

Por kjo nuk është hera e parë që Qerimi i ikë Policisë, pasi edhe në vitin 2018 kishte ndodhur diçka e tillë. Aso kohe, dyshohet se ikjes së tij i ndihmoi zv/komandanti i Policisë së Kosovës në Dragash, Elam Seferi.

Seferi kishte shkuar ta arrestojë Qerimin në shtëpinë e tij, por ai e kishte lënë të arratisej, pasi ai nuk kishte urdhëruar bastisjen e shtëpisë së Qerimit.

Madje Seferi nuk kishte lënë as patrullë për vëzhgimin e tij dhe kishte urdhëruar ekipin policor të largohet nga vendngjarja duke iu thënë që Qerimi ishte arratisur.

Ndaj Seferit është ngritur aktakuzë për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, ndërsa edhe komandanti Shaqir Uka ishte suspenduar nga detyra.

Me Policinë e Kosovës, Qerimi ishte ballafaquar edhe në prill të vitit 2015, kur e kishte goditur me veturë një zyrtar policor në fshatin Zym të Dragashit derisa po lëvizte me shpejtësi prej 78 km/h.

Polici, që ishte në detyrë, e kishte urdhëruar Qerimin që të ndalej, mirëpo ky i fundit nuk e kishte përfillur dhe e kishte rritur shpejtësinë me dashje dhe e kishte përplasur policin.

Më pas, për këtë Mexhait Qerimi ishte arrestuar dhe Gjykata e Prizrenit i kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.

Ndërsa të mërkurën, sipas njoftimit të Gjykatës, Qerimi ishte ndihmuar nga Mustafa për ta transportuar drogën, që destinim kishte vendet e Bashkimit Evropian.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/