Një rast i dhunës në familje ka eskaluar edhe në sulm ndaj një zyrtari policor gjatë ndërhyrjes së Policisë në Pejë, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur pak pas mesnate, rreth orës 01:00, në rrugën “Vëllezërit Dervishaj”, ku A. N. rreth 50 vjeç kishte kërkuar ndihmën e Policisë, duke raportuar dhunë në familje.
Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, patrulla policore ka hasur bashkëshortin e saj, A. N. rreth 56 vjeç, i cili dyshohet se ishte nën ndikimin e alkoolit, agresiv dhe refuzonte të bashkëpunonte me zyrtarët policorë.
Sipas burimeve, ai fillimisht i ka ofenduar zyrtarët dhe ka tentuar t’i largojë nga shtëpia, ndërsa më pas ka shtyrë me duar në gjoks njërin prej policëve.
Për ta vënë situatën nën kontroll, zyrtarët policorë kanë përdorur forcë proporcionale dhe kanë arrestuar të dyshuarin, i cili është shoqëruar në Stacionin Policor në Pejë.
Gjatë deklarimit të saj, viktima ka bërë të ditur se bashkëshorti ushtron vazhdimisht dhunë psikologjike, e cila, sipas saj, i ka shkaktuar rëndim emocional.
I dyshuari ka refuzuar t’i nënshtrohet alkool-testit dhe nuk është intervistuar.
Me urdhër të Prokurores së Shtetit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa rasti është iniciuar për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar”. Hetimet janë në vazhdim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!