Policia e Kosovës ka njoftuar se do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugore, pasi nëpër territorin e Kosovës do të kalojë transit Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Sipas njoftimit, Policia ka ndërmarrë masat e nevojshme operative dhe ka angazhuar njësitë përkatëse për të garantuar sigurinë e eskortës presidenciale dhe zhvillimin normal të qarkullimit përgjatë itinerarit të planifikuar.
Për të mundësuar lëvizjen e eskortës, më 8 korrik 2026 do të realizohen ndërprerje të përkohshme të trafikut në intervale të shkurtra kohore në disa segmente rrugore, nga Pika e Kalimit Kufitar Vërmicë deri te Pika e Kalimit Kufitar Dheu i Bardhë.
Këto ndërprerje do të zbatohen si gjatë hyrjes së delegacionit, ashtu edhe gjatë kthimit të tij, ndërsa sipas Policisë mund të ketë edhe riorientim të trafikut në rrugë alternative.
“Me datën 08.07.2026, Policia e Kosovës, me rastin e kalimit transit nëpër Kosovë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë z. Bajram Begaj, ka ndërmarrë paraprakisht të gjitha veprimet e nevojshme operative duke angazhuar njësitë përkatëse policore, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe rrjedhës së lirë të komunikacionit rrugor përgjatë rrugëve lëvizëse të eskortës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia ka bërë të ditur se ndërprerjet do të kryhen për të mundësuar qarkullim të sigurt përgjatë itinerarit të eskortës.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë sipas itinerarit të lëvizjes, me datën 08.07.2026, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore nga Pika e Kalimit Kufitar Vërmicë deri në Pikën e Kalimit Kufitar Dheu i Bardhë dhe anasjelltas, gjatë kthimit po ashtu me të njëjtën datë, ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative”, thuhet në njoftim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!