Një patrullim rutinë i Policisë ka çuar në zbulimin e një arme gjuetie në një automjet pa targa në fshatin Skoqan të Vushtrrisë, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur mbrëmjen e 7 korrikut, rreth orës 23:00, kur njësia e NJRSH Mitrovicë, gjatë patrullimit në rrugën “Qukat e Skoqnes”, ka vërejtur një automjet Renault Pick-Up, me ngjyrë të bardhë dhe pa targa.
Jashtë automjetit ndodhej Ukshin Ademi rreth 41 vjeç, ndërsa brenda tij ishte Fidaim Ademi rreth 46 vjeç, i cili dyshohet se posedonte një pushkë gjuetie, në të cilën ishin vendosur tre fishekë.
Pas njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të Stacionit Policor në Vushtrri, të cilat kanë sekuestruar armën dhe kanë shoqëruar të dyshuarin në stacion policor.
Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës dhe në konsultim me Prokurorin e Shtetit, është iniciuar rasti për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Me urdhër të Prokurorit, Fidaim Ademi është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa arma është sekuestruar dhe hetimet për rastin janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!