image Kapet më në fund Mexhait Qerimi, i dyshuari për 91kg drogë që gjuajti me armë zjarri policët

Siguri

Kapet më në fund Mexhait Qerimi, i dyshuari për 91kg drogë që gjuajti me armë zjarri policët

news image

Policia e Kosovës më 9 shkurt kishte arritur të konfiskojë drogë me peshë prej 91 kilogramë, të llojit marihuanë. Atëherë ishte arrestuar njëri nga të dyshuarit, Fehmi Mustafa, ndërsa sot Policia njoftoi se janë arrestuar edhe dy persona tjerë, njëri prej të cilëve ishte arratisur në natën e aksionit. Sinjali ka raportuar edhe më parë që personi që iu iku policëve e nuk u arrestua deri më sot është Mexhait Qerimi.

Përveç Qerimit, Policia ka njoftuar se e ka arrestuar edhe një person tjetër me inicialet A.Sh, të cilit pas kontrollit i është gjetur substancë narkotike.

Policia ka thënë se hetimet për arrestimin e të dyshuarve kanë qenë duke vazhduar për afër një muaj.

“Hetimet lidhur me këtë rast kanë qenë duke vazhduar për afro një muaj. Dje më, 11.03.2022, hetuesit policorë nga Drejtorisë për Hetim e Trafikimit me Narkotikë-Prizren, kanë realizuar një operacion policorë ku janë kontrolluar dy lokacione. Policia ka arritur të lokalizojnë dhe të arrestojnë të dyshuarit: M.Q., (viti i lindjes 1976, mashkull kosovar) dhe A.Sh., (viti i lindjes 1978, mashkull kosovar). Tek i dyshuari A.Sh., policia dje ka arritur të gjejë edhe rreth 395 gr substancë narkotike që dyshohet të jetë marihuanë dhe dëshmi tjera relevante për rastin”, thuhet në komunikatë.

Pas intervistimit të të dyshuarve, ndaj tyre është iniciuar rasti ‘blerja, posedimi shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe anologe’ dhe me aktvendim të prokurorit, ata janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Për Qerimin kjo nuk ishte hera e parë që i ikë Policisë, pasi që të njëjtën gjë e kishte bërë edhe në vitin 2018 dhe në prill të vitit 2015.

Në vitin 2018 dyshohet se ikjes së Qerimit i ndihmoi zv/komandanti i Policisë së Kosovës në Dragash, Elam Seferi.

Seferi kishte shkuar ta arrestojë Qerimin në shtëpinë e tij, por ai e kishte lënë të arratisej, pasi ai nuk kishte urdhëruar bastisjen e shtëpisë së Qerimit.

Madje Seferi nuk kishte lënë as patrullë për vëzhgimin e tij dhe kishte urdhëruar ekipin policor të largohet nga vendngjarja duke iu thënë që Qerimi ishte arratisur.

Ndaj Seferit është ngritur aktakuzë për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, ndërsa edhe komandanti Shaqir Uka ishte suspenduar nga detyra.

Me Policinë e Kosovës, Qerimi ishte ballafaquar edhe në prill të vitit 2015, kur e kishte goditur me veturë një zyrtar policor në fshatin Zym të Dragashit derisa po lëvizte me shpejtësi prej 78 km/h.

Polici, që ishte në detyrë, e kishte urdhëruar Qerimin që të ndalej, mirëpo ky i fundit nuk e kishte përfillur dhe e kishte rritur shpejtësinë me dashje dhe e kishte përplasur policin.

Më pas, për këtë Mexhait Qerimi ishte arrestuar dhe Gjykata e Prizrenit i kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/