Juventusi është duke përgatitur një ofertë marramendëse për mbrojtësin e Liverpoolit, Virgil van Dijk. Kampioni italian dëshiron ta bëjë futbollistin holandez mbrojtësin më të shtrenjte për herë të dytë duke shpenzuar 150 milionë funte (178.5 milionë euro) për blerjen e tij.
Pasi befasoi me transferimin e Cristiano Ronaldos nga Real Madridi (në vitin 2018), Zonja e Vjetër tash e ka identifikuar Van Dijkun si shënjestrën e radhës të madhe.
SunSport raporton se 28-vjeçari mund të kërkojë një sfidë të re nëse e fiton Ligën Premier me Liverpoolin këtë sezon, duke ia bashkëngjitur kështu trofeve të Ligës së Kampionëve, Kupës së Botës për Klube dhe Superkupës së UEFA-s.
“Pasi t’i ketë fituar shumë trofe me Liverpoolin, Juventusi mendon se ai mund të jetë i gatshëm për një sfidë të re në fund të sezonit – sidomos për faktin se ka luajtur në Mbretërinë e Bashkuar qe disa vite”
“Dhe klubi (Juve) është duke planifikuar aktivisht që të bëjë ofertë të madhe për të në verë”, ka thënë një burim pranë Bianocnerëve.
Van Dijk u bë mbrojtësi më i shtrenjtë kur iu bashkua Liverpoolit nga Southamptoni (75 milionë funte), ndërsa këtë rekord e theu Harry Maguire (85 milionë funte) kur iu bashkua Manchester Unitedit nga Leicester City në verën e kaluar. Juve është gati ta dyfishojë atë shumë.