Udhëheqësi i grupit të kërkim-shpëtimit “Vullnetarët”, Ridvan Tahiri, ka njoftuar se do të ndërpresin të gjitha aktivitetet e tyre deri në një vendim tjetër, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas Tahirit, ky vendim erdhi pasi që ditën e djeshme derisa po zhvillonin një kërkim për një grua të moshuar me sëmundje mendore, një epror i policisë në rajonin e Pejës nuk i kishte lejuar ata të vazhdonin kërkimin.
“Grupi i kërkim-shpëtimit për persona të humbur i cili vjen nga ‘Vullnetarët’ u shërben qytetarëve pa dallim feje, kombi apo nacionaliteti. Kërkimi bëhet gjithmonë në koordinim me organet e sigurisë së vendit. Por, mbrëmë, përderisa po zhvillonim një kërkim për një grua të moshuar me sëmundje mendore në regjionin e Pejës – saktësisht në bjeshkët e Radavcit, një epror i Policisë së Pejës nuk na lejoi të vazhdojmë kërkimin, me arsyetimin se na duhet edhe leje nga Prishtina”, shkroi Tahiri në Facebook.
Ai po ashtu, njoftoi se rreth kësaj çështje do të tentojnë të zhvillojnë një takim me ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliun dhe ministrin e Mbrojtjes, Anton Qunin./Gazeta Sinjali/