image "Gjykata dhe Prokuroria janë të ndikuara dhe kapura nga pushteti"/ Mbrojtja kundërshton vendimin e gjykatës për 5 policët në Prizren - Sinjali

“Gjykata dhe Prokuroria janë të ndikuara dhe kapura nga pushteti”/ Mbrojtja kundërshton vendimin e gjykatës për 5 policët në Prizren

news image

Gazeta Sinjali të premten publikoi ekskluzivisht dëshmi nga trajtimi çnjerëzor dhe poshtërimi që rreshteri Sami Hoti dhe katër policët: Valon Krasniqi, Frashër Kroni, Albert Përzheku dhe Ardian Krasniqi, dyshohen se ua kanë bërë katër qytetarëve të prangosur korrikun e vitit të kaluar në Prizren.

Pas publikimit të këtyre dëshmive, pesë zyrtarët policorë u arrestuan dhe u suspenduan nga puna.

Sot, pas përfundimit të seancës dëgjimore, Gjykata Themelore në Prizren, me kërkesën e Prokurorisë Themelore të këtij rajoni, ka caktuar masën e paraburgimit për 30 ditë ndaj të dyshuarve.

Mirëpo, kjo masë po kundërshtohet nga mbrojtja e të dyshurve.

Visar Rrecaj, avokati mbrojtës i zyrtarit policor të dyshuar në këtë rast, Valon Krasniqit, po vlerëson se aktvendimi i gjykatës është i paarsyeshëm dhe i papranueshëm.

“Të gjithë mbrojtësit e kemi kundërshtu kërkesën e prokurorisë. Ka qenë kërkesë e pabazuar dhe e paarsyeshme. Prova e Sinjali është marrë në mënyrë jo të ligjshme, nuk merret në atë formë. Si provë është e papranueshme. Rasti ka të bëjë me zyrtarët policorë, të cilët në asnjë formë nuk i shmangen drejtësisë dhe masa e paraburgimit ka qenë absolutisht e paarsyeshme dhe e papranueshme për mbrojtjen.”

Në një prononcim për Gazetën Sinjali, Rrecaj tha se do të paraqesin ankesë kundër këtij aktvendimi në Gjykatën e Apelit.

Ai vlerëson se ky vendim është i ndikuar nga publiku, pasi që audio-incizimi i rastit u publikua në Gazetën Sinjali. Madje, ai thotë se prokuroria e ka marrë në mënyrë joligjore këtë provë nga Sinjali.

“Na do të paraqesim ankesë brenda 24 orëve në Gjykatën e Apelit. Mirëpo, edhe vendimi i gjykatës, edhe kërkesa e prokurorisë janë kryekëput të ndikuara nga mediat. Duke marrë parasysh edhe ndikimet që i kanë prokurorët dhe gjyqtarët për vetting. Çdo qytetar që përballet me drejtësinë sot, është i rrezikuar”, tha ai.

Mbrojtësi i Krasniqit tha se gjykata dhe prokuroria janë të ndikuara dhe të kapura nga pushteti, i cili, sipas tij, po i kërcënon me vetting.

Rrecaj tha se prokurori i ka poseduar që një vit këto prova, por që nuk ka ndërmarrë asnjë veprim, derisa e njëjta është publikuar në Gazetën Sinjali.

Madje, ai thotë se kërkesa është bërë për të ruajtur imazhin e Prokurorisë para mediave dhe Këshillit Prokurorial, ndërsa thotë se edhe gjykata e ka aprovuar kërkesën që “t’ia mbulojë këtë të metë prokurorit”.

“Vendimi është i ndikuar nga publiciteti që ka marrë rasti në opinion. Kërkesa e prokurorit është bërë me nguti, për shkak se ky rast është prej vitit 2020 dhe prokurori me çdo kusht ka këmbëngul me u aprovu kjo kërkesa, që ata me shku në paraburgim dhe ai me pshtu mirë para Këshillit Prokurorial dhe publikut. Sepse rasti dhe prova, këtë provë prokurori e ka që 1 vit, por pas publikimit që e keni bë ju, për me e mbulu veten me çdo kusht, e ka kalu në gjykatë këtë kërkesë.”

“Edhe Gjykata ia ka mbulu këtë të metë prokurorit, sepse edhe gjykata përveç që janë në ndikim të mediave, si zakonisht – ata janë edhe të ndikuar nga proklamimi i qeverisë për vettingun.”

“Siguria juridike në Kosovë është nën nivel, sepse komplet gjykata është e kapur dhe e ndikuar nën kërcënimin e vettingut. Siguria juridike e qytetarëve është zero. Normalisht që qytetarët nuk duhet të kryejnë vepra penale, por edhe ai që bën, më mëshirë për të nuk ka, sepse prokuroria dhe gjykata të ndikuara dhe të kapura prej pushtetit, nën kërcënimin e proklamimit të vettingut”, tha ai.

Masa e paraburgimit e vendosur ndaj pesë zyrtarëve policorë do të llogaritet nga data e ndalimit, 26 qershor deri më 26 korrik të këtij viti.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin