image Flet punëtori që dyshohet se kërcënoi drejtorin e spitalit në Gjakovë: Ka folur me mua si rrugaq, ma ka ndërruar repartin pa arsye - Sinjali

Flet punëtori që dyshohet se kërcënoi drejtorin e spitalit në Gjakovë: Ka folur me mua si rrugaq, ma ka ndërruar repartin pa arsye

news image

Pasi Gazeta Sinjali raportoi për arrestimin e punëtorit shëndetësor të Spitalit të Gjakovës, “Isa Grezda”, i cili dyshohet se ka kërcënuar ushtruesin e detyrës së këtij spitali, në adresën e redaksisë është lajmëruar vet i dyshuari Driton Tafarshiku. Ai ka dhënë versionin e tij se si ka ndodhur ngjarja, duke e mohuar se e ka kërcënuar ud. të drejtorit, Ardian Jusufin.

Gjithë ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas ndryshimeve që janë bërë në repartin e Pulomologjisë, ku Tafarshiku punonte si teknik medicinal.

Ai thotë se ud. i drejtorit Jusufi ka pasur përgjigje banale ndaj tij, kur e ka telefonuar për ta pyetur se pse e ka vendosur në repartin neurologjik.

“Vetë drejtori është përgjigjur me fjalë arrogante. E kam pyetur arsyen se pse më keni larguar dhe më është përgjigjur për qef të k***”. I thotë vetes se është dr dhe drejtor, e përgjigjet me këtë fjalor të ndytë si mu kon ndonjë fëmijë i papjekur”, tha ai për Sinjalin.

Ai pretendon se ia kanë ndërruar repartin pa arsye dhe këtë vendim thotë se nuk do ta pranojë.

“Ma ka ndërruar repartin par kurrfarë arsye. S’kam pranuar të kalojë në repartin neurologjik dhe as nuk pranoj. Unë deklaratën e kam dhënë në Polici. Por nuk kam besuar se si një i shkolluar flet sikur rrugaq”, shtoi ai.

Tafarshiku tutje tha se do ta padis ushtruesin e detyrës Ardian jusufin për këtë rast.

Sinjali ka kontaktuar edhe ushtruesin e detyrës së drejtorit, Ardian Jusufin për të marrë një deklaratë lidhur me rastin.

Jusufi shkurt është përgjigjur se “ashtu si e keni raportuar rastin. Nuk kam çka të shtoj më shumë”.

Ndërsa sipas Policisë, rastin e ka denoncuar Jusufi, i cili ka deklaruar se Tafarshiku i revoltuar për ndryshimin e vendit të punës e kishte telefonuar duke i thënë: “Pse ma ki ndrru vendin e punës. Ta shker***** nonen, guxo dil tash e mbas në rrugë”.

Policia ka bërë të ditur për Sinjalin se i dyshuari është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin