Nëse kampionati i Serisë A 2019-2020 do të ishte akorduar me rregullin e vjetër, kur fitorja vlente 2 pikë dhe jo 3 (deri përpara vitit 1994, suksesi vlente 2 pikë, barazimi 1 dhe normalisht 0 për humbjen), titulli i sivjetmë i Serie A do t’i kishte shkuar Interit: duke rillogaritur pikët me rregullin e vjetër, në fakt, klasifikimi final do të recitonte Inter 58, Juventus 57. Dhe kjo është hera e parë në 26 sezone të luajtura pas vitit 1994 që rregulli i tri pikëve për fitore rezulton matematikisht vendimtar në akordimin e titullit.
Një e dhënë e tillë është më shumë sesa thjesht kurioze, falë së cilës kuptohet sesa i vështirë ka qenë titulli i nëntë radhazi i fituar nga Juventusi
Llogaria, qartësisht është realizuar me kampionatin e mbyllur, ndaj mban në konsideratë edhe dy humbjet e fundit të bardhezinjve, kundër Cagliarit dhe Romës (me titullin që ishte siguruar dhe me mendjen te kthimi i 1/8-ave të Ligës së Kampionëve me Lionin). Mbetet fakti që kjo statistikë shton pengjet e Interit të Kontes: jo për faktin që në një tjetër epokë do të kishte triumfuar, por më shumë sepse distanca ka qenë aq minimale sa të bënte rregulloren më vendimtare sesa përballjet në fushë.
Për të kompletuar duhet thënë që një situatë e ngjashme u verifikua edhe në edicionin 2001-2002: në atë kohë Juventusi fitoi titullin me 71 pikë kundër 70 të Romës. Nëse do të kishte qenë ende në fuqi rregulli i dy pikëve, verdhekuqtë dhe bardhezinjtë do e kishin mbyllur me pikë të barabarta në kuotën 51. Atëherë, renditja finale nuk vendosej nga pikët apo golavarazhi në ndeshjet direkte, por parashikohej një finale, me një ndeshje teke mes dy skuadrave kryesuese. Për këto arsye sezoni 2019-2020 i Interit konfirmohet një rast unik në historinë e Serisë A bashkëkohore. /Sinjali Sportiv