image Ekskluzive: Komisioni disiplinor e përjashton Haris Kelmendin nga Policia e Kosovës

Ekskluzive

Ekskluzive: Komisioni disiplinor e përjashton Haris Kelmendin nga Policia e Kosovës

news image

Haris Kelmendi, i cili në disa pamje të publikuar ekskluzivisht nga Gazeta Sinjali muaj më parë, shihet derisa e godet me shuplakë në fytyrë një 18-vjeçar që ndodhej në stacion policor në Prishtinë është përjashtuar nga Policia e Kosovës.

Gazeta Sinjali ka mësuar se Komisioni Disiplinor i brendshëm i Policisë së Kosovës ka marrë këtë vendim ndaj tani ish-pjesëtarit të Njësisë për Reagim të Shpejt, lidhur me rastin në fjalë.

Sinjali ka siguruar këtë vendim, në të cilin shihet se masa e shqiptuar është “Largim nga Policia”.

“Pas zhvillimit të procedurës disiplinore ndaj Haris Kelmendit, komisioni disiplinor i brendshëm i Policisë së Kosovës ka aprovuar propozimin e Standardeve Profesionale dhe ndaj Haris Kelmendit ka shqiptuar masën e largimit nga Policia”, thuhet ndër të tjera në këtë vendim.

Komisioni Disiplinor e ka shpallur fajtor Haris Kelmendin, për shkak se ka kryer “Sjellje të rëndë diskredituese”, duke “ndërhyrë, penguar ose duke tentuar të ndikojë në proceset ligjore dhe në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Po ashtu, ky komision ka vlerësuar se sjellja e Kelmendit ka dëmtuar imazhin e Policisë së Kosovës gjatë kryerjes së detyrës apo jashtë saj.

Komisioni disiplinor gjeti gjithashtu se polici në fjalë ishte jo objektiv ose i njëanshëm në punët policore, që shkaktojnë pasoja në trajtimin e qytetarëve apo edhe punonjësve të policisë.

Kelmendi, sipas komisionit, ka shkelur rëndë edhe autorizimin, duke vepruar në kundërshtim me dispozitat e ligjit në fuqi, në lidhje me autorizimit policore, në atë mënyrë që dëmton të drejtat e një personi tjetër.

Në vendimin e siguruar nga Sinjali po ashtu thuhet se Kelmendi në këtë rast ka përdoruar forcë të tepërt, e cila nuk ka qenë e domosdoshme për të arritur objektivin legjitim dhe të ligjshëm të policisë.

“Punonjësit Haris Kelmendi i shqiptohet masa disiplinore: ‘Ndërprerje e marrëdhënies së punës'”, thuhet tutje në këtë vendim.

Ky vendim merr formën e prerë pas kalimit të afatit të së drejtës për ankesë apo pas vendosjes në shkallë të dytë nga ana e Komisionit për Ankesa.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/