Policia e Kosovës ka bërë të ditur detaje të reja rreth ngjarjes që ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Rexhep Bislimi”, në Ferizaj, shkruan Gazeta Sinjali.
Në njoftimin e Policisë thuhet se nga hetimet e para, dyshohet se personi me inicialet Q.J. i moshës 30-vjeçare, ka shtënë me armë zjarri në personin tjetër me inicialet G.H., 30-vjeçar, i cili si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, kjo e konfirmuar nga mjekët e spitalit të Ferizajt.
Afër vendit të ngjarjes, një njësi e policisë me automjet zyrtar civil dhe pjesëtarë të policisë me rroba civile, në detyrë zyrtare, kanë vërejtur të dyshuarin me armë zjarri në dorë dhe kanë filluar fillimisht me urdhëra verbal “ndal policia” që të ndalet, por i dyshuari nuk ka përfillur urdhërat e policisë.
“I dyshuari me pistoletë në dorë, dyshohet që në një moment i kthehet zyrtarëve policorë dhe njëri zyrtar policor, për ta shmangur rrezikun e drejtpërdrejt ndaj tij, kolegut të tij dhe të tjerëve përreth, e përdor armën e zjarrit zyrtare, me një shkrepje në drejtim të të dyshuarit”.
“I dyshuari, menjëherë dërgohet për ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor dërgohet në në QKUK – Prishtinë dhe sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia i ka marrë masat për sigurinë e tij”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore e Ferizajt dhe IPK-ja të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Policia njoftoi që me vendim të Prokurorit lidhur me veprimet e zyrtarit policor do të marrin vendim Prokurori i rastit së bashku me IPK-në, ndërsa për veprimet tjera hetimore lidhur me vrasjen Sektori Rajonal i Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj.
Si provë materiale nga vendi i ngjarjes është konfiskuar dy armë zjarri (pistoleta) dhe shtatë ( 7) gëzhoja.
Gjithashtu , me vendim të Prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, ndërsa ndaj të dyshuarit Q.J. është lëshuar vendimi për ndalim për 48 orë.
“Sektori Rajonal i Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, nën autorizim të Prokurorit i ka marrë të gjitha veprimet e nevojshme”.