Kapiteni i Juventusit, Giorgio Chiellini zbulon se ai ka diskutuar për Superligën Evropiane me presidentin Andrea Agnelli prej disa vitesh.
Mbrojtësi është nga të paktët lojtarë që ka dalë publikisht pro projektit të Superligës, i cili u nis si projekt dhe më pas u shua brenda 48 orëve.
Vetëm Juventusi, Real Madridi dhe Barcelona i qëndrojnë ende idesë së projektit duke menduar për disa përmirësime në mënyrë që ai të mos jetë turne vetëm për ekipet e mëdha evropiane.
“Unë kam folur me presidentin për disa vite për këtë çështje,” tha Chiellini për “DAZN”.
“E ardhmja e futbollit është gjithnjë e më shumë drejt një qasjeje të re evropiane në krahasim me ligat kombëtare. Një lojtar në nivelin e Juventusit dëshiron t’i luajë ato ndeshje, me gjithë respektin e duhur. Atletët e nivelit tonë, por ndoshta edhe tifozët, duan të shohin më shumë nga këto ndeshje të nivelit evropian”.
“Ne kemi arritur në pikën pa kthim. Institucionet, klubet dhe lojtarët duhet të takohen për të reformuar kalendarin dhe për të krijuar gara të reja për të rinisur këtë sport, i cili mbetet më i bukuri në botë, por edhe mund të përmirësohet. Në SHBA, të cilët janë mjeshtër të gjërave të tilla, ata krijuan Superliga në çdo sport”, vazhdoi mbrojtësi italian.
Reformimi i kalendarëve nënkupton gjithashtu uljen e numrit të ndeshjeve të brendshme dhe Chiellini pajtohet me qasjen aktuale të Federatës së Futbollit në Itali për reduktimin e Serisë A nga 20 skuadra në 18.
“Ne vërtet duhet të kthehemi në 16 ekipe, por mendoj se 18 do të lejonin që liga të ishte më konkurruese dhe t’i jepte hapësirë shtesë ndeshjeve të nivelit evropian.”, tha Chiellini në fund. /Gazeta Sinjali Sporti/