image Arrestohet një 21-vjeçar në Prishtinë, dyshohet për rrëmbim, fajde e shitje të drogës - Sinjali

Arrestohet një 21-vjeçar në Prishtinë, dyshohet për rrëmbim, fajde e shitje të drogës

news image

Policia e Kosovës ka arritur që të arrestojë sot një 21-vjeçar me inicialet A.O., të dyshuar për veprat penale “Rrëmbim”, “Fajde” dhe “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge”, raporton Gazeta Sinjali.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se arrestimi i tij u bë paraditen e sotme, rreth orës 10:00, në lagjen “Pejton” të Prishtinës.

Në koordinim me prokurorin e shtetit – Departamentin e Krimeve të Rënda dhe Gjyqtarin e Procedurës paraprake, nga hetuesit policorë është kryer një kontroll/ bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, në Prishtinë, ku dyshohet se është mbajtur i rrëmbyer viktima.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, policia njofton se ka gjetur dhe ka sekuestruar një sasi të substancës narkotike, e cila dyshohet të jetë kokainë, si dhe mbi 12 mijë euro para të gatshme, të cilat dyshohet se janë përfituar kundërligjshëm.

Me urdhër të prokurorit, 21-vjeçari është dërguar në mbajtje, ndërkohë që hetuesit policorë janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale, për sqarimin dhe zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të rastit./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin