image Zyrtarja e komunës së Junikut mbrohet në heshtje në Krimet e Rënda

Siguri

Zyrtarja e komunës së Junikut mbrohet në heshtje në Krimet e Rënda

news image

Gazeta Sinjali raportoi se Blerina Sallaj, zyrtare e komunës së Junikut, bashkëpunëtore e ngushtë e kandidatit të AAK-së për kryetar komune, Agron Kuçit, është ndaluar për 48 orë nga Prokuroria, pasi dje u kap në flagrancë në aeroportin e Prishtinës, duke tentuar të dërgojë në Gjermani, material zgjedhor që dyshohet se është falsifikuar. 

Sinjali nga burimet ka mësuar se Blerina Sallaj është mbrojtur në heshtje gjatë intervistimit nga Drejtoria e Krimeve të Rënda.

Megjithatë, burimet e Sinjalit thonë se ajo gojarisht ua ka rrëfyer të vërtetën Policisë që në kontaktin e parë në aeroport, kur u zu në flagrancë me materialet e sekuestruara.

Çka gjeti Policia në valixhen e Blerina Sallajt në Aeroportin e Prishtinës?

Sallaj dje ishte nisur për në Gjermani, me ç’rast Policia e Kosovës kishte gjetur në bagazhin e saj me qindra dokumente të votuesve të diasporës në komunën e Junikut të përgatitura paraprakisht, në mënyrë të organizuar në emër të votuesve të Junikut nga diaspora. Me këtë rast Policia ka sekuestruar telefonin e saj dhe një laptop me fletëvotime të diasporës dhe listën e votuesve në Junik për kryetar të komunës së Junikut në zgjedhjet e 14 nëntorit, shkruan Gazeta Sinjali.

Dosja që dyshohet të jetë e falsifikuar përmban kopje të letërnjoftimeve, lista me emra të 200 personave, të përgatitura për votim nga diaspora.

Sallaj gjatë intervistimit, siç ka mësuar Sinjali, ka deklaruar se këtë material ka pasur të ia dërgojë vëllait të kryetarit të komunës së Junikut, Agron Kuçit.

Sipas burimeve të Sinjalit, Blerina Sallaj është një nga bashkëpunëtoret më të ngushta të Agron Kuçit, i cili është kandidat nga AAK për kryetar të Junikut. Dyshohet se e arrestuara në bashkëkryerje edhe me persona të tjerë, ka tentuar që të dërgojë në mënyrë të organizuar votat nga diaspora në mbështetje të kandidatit Agron Kuçi.

Sot, Sinjali po ashtu raportoi se në Komunën e Junikut ka zbarkuar Drejtoria e Krimeve të Rënda, në kërkim të provave dhe të dyshuarve të tjerë që lidhen me rastin e dokumentacionit zgjedhor që dyshohet se u falsifikua në këtë komunë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /Gazeta Sinjali/