image Vrasjet brenda familjes që tronditën Kosovën gjatë këtij viti

Siguri

Vrasjet brenda familjes që tronditën Kosovën gjatë këtij viti

news image

Nëntë familje në Kosovë përjetuan tragjedinë e vrasjes mes anëtarëve gjatë këtij viti, si pasojë e të cilave mbetën të vdekur 12 persona, shkruan Gazeta Sinjali.

Viktimat e këtyre rasteve janë 4 persona të gjinisë femërore dhe 8 të gjinisë mashkullore. Ndërkaq të dyshuar për këto vrasje janë të gjithë të gjinisë mashkullore, përveç një femre.

Çifti që prej vitesh jetonte në Suedi por me prejardhje nga Prizreni, Durim e Suada Hadri, u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre në janar të këtij viti. I dyshuari për vrasjen e tyre raportohet të jetë djali i çiftit. I njëjti nuk është intervistuar ende nga Prokuroria pasi dyshohet se ka kaluar kufirin dhe ndodhet jashtë vendit.

G.K. nga fshati Bërnjak i Komunës së Rahovecit, e ka pranuar para hetuesve policorë dhe prokurorit të rastit se ka vrarë dhe më pas ka djegur trupin e vëllait të tij, me inicialet B.K. i cili pasi që kishte ardhur nga Zvicra në Kosovë,  fillimisht ishte paraqitur i zhdukur nga familjarët e tij më 14 shkurt të këtij viti.

Më 18 shkurt të këtij viti, zyrtarja policore, Valdete Bllaca, qëlloi për vdekje nënën, babain, dy vëllezërit dhe më pas edhe veten.

Fshati Bardhaniq i Gjakovës u trondit në orët e hershme të mëngjesit të 7 korrikut nga një tragjedi, ku një person vrau me thikë burrin e hallës së tij dhe lëndoi rëndë hallën dhe djalin e saj.

Më 20 korrik të këtij viti në Fushë Kosovë, një djalë rreth 40-vjeçar dyshohet se ia preu kokën me sëpatë babait 72-vjeçar dhe më pas ia hodhi në një shportë mbeturinash.

Nuhi Mavrovqani është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij me shufër metali në fshatin Berivojcë të Kamenicës, më 25 korrik të këtij viti.

Janë edhe tri raste të tjera të vrasjeve brenda familjeve të cilat nuk janë përfshirë në të dhënat e policisë, për shkak se hetimet janë në fazën fillestare.

Më 15 dhjetor të këtij viti dyshohet se zyrtari policor Sali Mazreku nga Departamenti i Kufirit, duke pastruar armën e tij zyrtare ka vrarë të bijën e tij dhe më pas veten.

Po aksidentalisht dyshohet se të dielën e 20 dhjetorit, një 23 vjeçar e kishte qëlluar aksidentalisht për vdekje familjaren e tij 58-vjeçare.

Ndërkaq, më 25 dhjetor në rrugën “Nazim Kokollari” në Prizren, një 30-vjeçar dyshohet se vrau me thikë babanë e tij rreth 56-vjeçar.

Kurse, rasti i fundit i vrasjeve në familjet kosovare ndodhi mbrëmë në fshatin Pozharan të Vitisë. Atje rreth orës 18:00 të pasdites, kryefamiljari Fetah Zuka dyshohet se ka vrarë gruan dhe dy djemtë e tij, e më pas edhe veten.

Bazuar në të dhënat e policisë për vitin e kaluar gjatë të cilit ndodhen 6 vrasje me 7 të vrarë ( 5 femra dhe 2 meshkuj), këtë vit pati rritje të vrasjeve brenda familjeve në Kosovë.

Andaj referuar rasteve të ngritura, si dhe në veçanti referuar situatës dhe rrethanave që gjendemi në këtë kohë pandemie, Policia e Kosovës ka kërkuar nga të gjithë qytetarët që të mos shfaqin dhunë ndaj askujt.

Policia e Kosovës edhe përkundër angazhimeve shtesë këto raste thotë se i trajton me prioritet dhe u bën apel të gjithë personave të cilët mund të jenë pre e dhunës në familje ose çfarëdo lloj dhune tjetër,  t’i raportojnë  këto raste përmes numrave të telefonit 192 dhe 080019999 apo në stacionin më të afërt policor./Gazeta Sinjali/