Mbrëmë fshati Gradicë i Drenasit është tronditur nga një ngjarje e rëndë. Në pyllin e këtij fshati, nga të shtënat me armë zjarri është vrarë 15-vjeçari me iniciale A.M. (emër i njohur për redaksinë) dhe është plagosur rëndë babai i tij Bekim Muja, raporton Gazeta Sinjali.
Për shkak të plagëve që ka marrë, Bekim Muja është duke u trajtuar ende në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës që nga mbrëmë.
Sipas mjekëve kujdestar, Muja është plagosur me armë zjarri në kokë, për çka mbrëmë i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik.
Drejtori i Klinikës së Mjekimit Intensiv, Shaqir Uka, i ka thënë Gazetës Sinjali se Muja ka lëndime serioze në kokë, konkretisht në indin e trurit.
“Është një pacient nga rajoni i Drenasit që është pranuar nga njësia e Mjekimit Intensiv, pas lëndime që ka pësu me armë zjarri. Pasi që është sjellë në Qendrën Emergjente dhe janë kry të gjitha ekzaminimet e nevojshme, është vendosur për intervenim kirurgjik, i cili është kryer nga ana e neurokirurgu, për shkak të një lëndimi me armë zjarri në regjionin e kokës. Pacienti ka lëndime shumë serioze në indin e trurit, gjegjësisht në kokën e tij”, tha ai.
Uka bëri të ditur se Muja aktualisht është i fjetur me barna dhe i lidhur me aparatin e frymëmarrjes.
“Pas intervenimit kirurgjik është sjellë në Mjekimin Intensiv Qendror, ku vazhdon të marrë trajtimin e mëtutjeshëm. Ekzaminimet që i kemi bë sot., rezultojnë që të ketë lëndime shumë të mëdha dhe të cilat janë kritike. Për momentin, vazhdon të qëndrojë i fjetur me barna dhe i lidhur me aparatin e frymëmarrjes, për ta vazhduar trajtimin e nevojshëm. Për momentin ka një stabilitet, bazuar në këto parametrat vitalë që i përcjellim, mirëpo lëndimet në kokë janë të serioze”, tha ai për Sinjali.
Sot në polici është dorëzuar Xhafer Bardiqi, njëri nga dy të dyshuarit për vrasjen e 15-vjeçarit dhe plagosjen e babait të tij.
Nga 54-vjeçari policia ka sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast.
Për këtë rast është i dyshuar edhe babai i Bardiqit.
Babë e bir dyshohet se kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të Bekim Mujës dhe djalit të tij 15-vjeçar, A. Muja, i cili nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Gazeta Sinjali raportoi se motivi i cili dyshohet se i shtyu të dyshuarit të shtien me armë zjarri në drejtim të viktimave ishte një mosmarrëveshje që palët kishin mes vete për një pronë publike.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/