image Inskenimi i grabitjes, pagesa për vrasjen e gruas dhe rrenat e Naim Murselit para Policisë - Krejt çka dihet deri më tani

Politikë

Inskenimi i grabitjes, pagesa për vrasjen e gruas dhe rrenat e Naim Murselit para Policisë – Krejt çka dihet deri më tani

news image

Tre të dyshuarve për vrasjen e 30-vjeçares, Liridona Ademaj Murseli gjatë natës së 29 nëntorit në fshatin Bernicë të Prishtinës, Naim Murselit (bashkëshorti), Granit Plavës si dhe Kushtrim Kokallës sot Gjykata Themelore e Prishtinës ua ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji. Pas masës së caktuar, Gjykata ka dalë me njoftim, ku u zbuluan edhe disa detaje tjera nga planifikimi e deri te kryerja e aktit, raporton Gazeta Sinjali.

Përveç se u konfirmuar se Naim Murseli me qëllim që ta privojë nga jeta bashkëshorten e tij, Liridonën, i kishte premtuar tashmë ekzekutuesit, Granit Plava një shumë të hollash prej 30 mijë euro pagesë, Gjykata gjithashtu bëri të ditur se ishte vetë Naimi ai i cili e kishte pajisur Granitin me armën që u krye krimi.

Natën e 29 nëntorit, rreth orës 20:25 Granit Plava papritmas dhe me maskë në kokë e armë në dorë, shfaqet para veturës së Naim Murselit e cila po drejtohej nga ai, ku pasagjere ishte Liridona dhe dy fëmijët e tyre.

Ashtu siç e konfirmon Gjykata, Naim Murseli merr dy fëmijët, del nga vetura dhe largohet nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa e ndjera Liridona kishte mbetur brenda në veturë, ku pas pak nga një afërsi qëllohet për vdekje nga Graniti me një plumb në qafë.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Siç mësoi Gazeta Sinjali tre të dyshuarit Naim Murseli, Granit Plava e Kushtim Kokalla pas caktimit të masës së sigurisë u dërguan në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.

Të arrestuarit ngarkohen me veprën penale si në vijim:

Naim Murseli – kryerje e veprës penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”

Granit Plava – kryerje e veprës penale “Vrasje e rëndë” dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Dhe i pandehuri Kushtrim Kokalla – kryerje e veprës penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë”.

/GazetaSinjali/