image Vrasja aksidentale e policit në Zllatar/ 6 policë arrestohen dhe 9 të tjerë suspendohen

Siguri

Vrasja aksidentale e policit në Zllatar/ 6 policë arrestohen dhe 9 të tjerë suspendohen

news image

Mbrëmë një ndejë për pikë të qejfit në Zllatar të Prishtinës përfundoi tragjikisht. Kjo për shkak se nga disa të shtëna me armë zjarri mbeti i vdekur zyrtari policor, Lirim Haxholli.

Me këtë rast është duke u marrë Inspektorati Policor i Kosovës, të cilët kanë lëshuar një komunikatë ku thuhet se 15 policë janë suspenduar, ndërsa gjashtë prej tyre janë arrestuar.

Ndaj policit që dyshohet se është dorasi që aksidentalisht e shkrepi armën në drejtim të viktimës është iniciuar rasti “Vrasje”, ndërsa janë arrestuar edhe pesë policë tjerë pasi dyshohet se kanë kryer veprat penale “Shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm” dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Inspektorati ka njoftuar se ndaj zyrtarëve policorë të arrestuar është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Sipas IPK-së policët që kanë marrë pjesë në këtë ndejë kanë qenë jashtë detyrës zyrtare.

Njoftimi i plotë:

Sot pas mesnatës Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar një informacion  përmes “Linjës së kaltër” nga Policia e Kosovës se ka ndodhur një incident me të shtëna me armë zjarri në fshatin Zllatar të Prishtinës ku ishte plagosur një person.

Hetuesit e IPK-së menjëherë i janë përgjigjur thirrjes kurse në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitet përkatëse policore si dhe prokurori kujdestar.

Personi i plagosur në këtë rast (zyrtar policor) ishte dërguar për trajtim mjekësor dhe pavarësisht përpjekje të mjekëve i njëjti fatkeqësisht ka vdekur si pasojë e lëndimeve.

Bazuar në hetimet preliminare fillestare dyshohet se rasti ka ndodhur në një ndejë private ku morën pjesë 15 zyrtarë policorë që të gjithë jashtë detyrës zyrtare.

Personi i dyshuar në këtë rast – (zyrtar policor) është arrestuar nga Inspektorati Policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të vrasje kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra.

Me dyshimin se kanë kryer veprën penale të “Shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm” dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga Inspektorati Policor janë arrestuar edhe 5 zyrtarë tjerë policorë (që ishin prezent në ndejë) kurse me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe të njëjtit janë suspenduar.

IPK ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit edhe për 9 zyrtarët tjerë policorë që ishin prezent në këtë rast.

Hetuesit e IPK-së së bashku me njësitin e forenzikës dhe njësinë rajonale të hetimeve  janë akoma duke bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes në vendin ku ka ndodhur incidenti në konsultim edhe me prokurorin kujdestar që është prezent aty.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë incident do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.

/GazetaSinjali/