image Vetëvendosja ka një dyshim se kush i bëri imazhet e Kurtit, Sveçles e Gjuriqit në Prishtinë

Politikë/ Vetëvendosja ka një dyshim se kush i bëri imazhet e Kurtit, Sveçles e Gjuriqit në Prishtinë

news image

Në Prishtinë e Lipjan janë shfaqur mbishkrime ku së bashku paraqiten imazhet e Albin Kurtit, Xhelal Sveçlës e Marko Gjuriqit.

“Jo negociata, Vetëvendosje”. Ky ka qenë për vjet të tëra, slogani më i përdorur nga partia që e drejton Albin Kurti. Në këtë mënyrë dikush po kundërshton bisedimet mes Kosovës e Serbisë.

Madje mbishkrime me këtë përmbajtje ende mund të hasen kudo nëpër Kosovë, ndërsa kjo ishte metoda e kësaj partie për shfaqur bindjet e tyre.

Por, një mbishkrim me përmbajtje krejt tjetër u shfaq mëngjesin e së premtes. Në të është shkruar e kundërta e parullës së famshme të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në këto mbishkrime që janë bërë në Prishtinë e Lipjan, është vendosur mbishkrimi “Jo Vetëvendosje por Negociata”.

Pos kësaj aty është vënë edhe një fjalia “Mashtrues dhe Nënshtrues”. Ndërsa, janë paraqitur në një vend edhe imazhet e Albin Kurtit, Xhelal Sveçlës e Marko Gjuriqit.

E gjithë këto u shfaqën pas publikimit të një foto ku së bashku shiheshin i ashtuquajturi ministër për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq dhe anëtar i moçëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla.

Ende nuk se kush janë autorët e këtyre mbishkrimeve. Por, në Lëvizjen Vetëvendosje kanë një dyshim se kush mund ti ketë bërë ato. Në një përgjigje për T7 ata kanë thënë se këto mbishkrime i bënë humbësit e zgjedhjeve.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! është i vetmi subjekt i cili nuk ka histori të korrupsionit apo të dëmtimit të interesave kombëtarë, dhe nuk do të ketë asnjëherë. Mbishkrimet dhe gjërat e ngjashme janë veç reagime dëshpërimi prej atyre që humbën besimin e popullit ngaqë u korruptuan edhe punuan kundër interesave kombëtarë”, thuhet në përgjigjen e Vetëvendosjes.

Nga ky subjekt politik kanë thënë se do të vazhdojnë të marrin pjesë nëpër konferenca ndërkombëtare.

“Pjesëmarrjet nëpër konferencat ndërkombëtare nuk janë negociata. Tash, nuk ka konferencë ndërkombëtare ku nuk ftohet Lëvizja VETËVENDOSJE!. Pas rënies së ‘Zajednicës’ dështoi edhe ‘Shkëmbimi territorial’. VETËVENDOSJE! udhëheq qeverinë e ardhshme”, thuhet në përgjigjjen e Vetëvendosjes.

Në anën tjetër njohësi i rrethanave politike në vend, Krenar Shala thotë se Vetëvendosje duhet të ju përmbahet standardeve që ka vendosur.

Megjithatë ai thekson se s’mund të ketë opozitë të fortë në këtë përbërje qeveritare të ardhshme.

Lëvizja Vetëvendosje doli e para në zgjedhjet e gjashtë tetorit, ndërsa tani po vazhdon përpjekjet për krijimin e qeverisë së re.