image Tenderi i radhës i kurdisur nga zyrtari i MPB-së, apostafat për kompaninë e vet - Sinjali

Tenderi i radhës i kurdisur nga zyrtari i MPB-së, apostafat për kompaninë e vet

news image

Gazeta Sinjali vazhdon raportimet për kurdisjet e çmimeve dhe fituesve të tenderëve që bëhen nga drejtori i Departamentit për Standarde dhe Politika të Inxhinieringut dhe Menaxhim të Ndërtesave Qeveritare në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Arif Daka, me qëllim të angazhimit të kompanisë së vet si nënkontraktore. Daka, në vazhdimësi sigurohet që kompaninë që vet e menaxhon, e kontrollon dhe e administron “Quatro Trade” SH.P.K, ta angazhojë në punë si nënkontraktore të projekteve të ndryshme, raporton Gazeta Sinjali.

Një kurdisje të tillë e ka bërë edhe me një tender tjetër, e që bëhet fjalë për projektin “Ndërtimi i shkollës fillore 14+2k në Magure – Lipjan”. Vlera e kontratës për këtë projekt është 1.319.000.00 euro e që më vonë Arif Daka përkujdeset që t’i realizojë edhe kontratë të negociuar në vlerë prej 50.302,34 po të njëjtës kompani.

Pikërisht me datën 27.07.2017 nxjerrin njoftimin për dhënien e kontratës me procedurë të negociuar, ku pikërisht departamenti i tij merret me negocim të kësaj kontrate.

61.606.50 euro, është vlera e kontraktuar me “Quatro Trade” SH.P.K.

Tenderin në fjalë fillimisht e fitoi kompania “Arbëri-NS” SH.P.K. Për këtë Gazeta Sinjali ka siguruar dokumente faktuese. Njoftimi për dhënien e kësaj kontrate të negociuar nga MAP, si autoritet kontraktues, për kompaninë “Arbëri-NS” SH.P.K., u bë më 24.07.2017 ndërkaq nënshkrimi i kontratës më 31.08.2017.

Kontratën e kurdisi që ta merrte kompania e vet, “Quatro Trade” SH.P.K. të cilën Daka, siç pati raportuar Sinjali, në vitin 2016 e regjistroi në emër të vajzës së vet, Dafinës, që në kohën kur kompania u regjistrua në emër të vajzës, ajo ishte veç 19-vjeçare.

Kompania “Quatro Trade” SH.P.K., me numrin identifikues 811034610, u regjistrua në shkurt të vitit 2016 në emër të vajzës, Dafina Dakës, por numri kontaktues në ARBK ishte i Arif Dakës, me të cilin Sinjali edhe ka vënë kontakt.

Kurdisja e tenderit

Gazeta Sinjali ka siguruar fakte se fituese e tenderit paraprakisht ishte kompania “Arbëri-NS” SH.P.K. Në ARBK figuron se Naim Selmani është drejtor ndërsa Admir Selmani, përfaqësues i autorizuar. Por një kurdisje paraprake e Dakës, e shpërbleu kompaninë e vet me këtë tender.

Kontrata

Admir Selmani është kontaktuar nga Sinjali, por ai e ka mohuar një gjë të tillë sapo ka mësuar për projektin që bëhet fjalë.

“Për çka po ju duhet? Gabim jeni, pse çka po ju duhet?”, janë përgjigjet mohuese të Selmanit, që është përfaqësues i autorizuar për kompaninë në fjalë.

Prej ditësh Sinjali ka vënë kontakt edhe me Dakën, i cili herë pas here ndërpriste telefonatat e dikur edhe ka shkyçur telefonin.

Fatura e siguruar nga Sinjali

Komunikimet rreth takimeve me Dakën

Me sigurimin e disa komunikimeve të punëtorëve në “Quatro Trade” SH.P.K, vërtetohet se Daka e ka marrë përsipër kontratën për shkollën në Magure.

Gazeta Sinjali ka siguruar një bisedë të zhvilluar zyrtarisht në e-mail, që mban datën 19 prill 2019, ku Arben Daka, u bën thirrje punëtorëve për një takim OBLIGATIV në Suharekë, e ku pjesëmarrës do të jetë edhe Arif Daka.

Aty shihet komunikimi i kompanisë “Quatro Trade” SH.P.K. ku caktohen takimet për koordinim të punëve rreth projektit, e nga po kjo bisedë, mësohet se personi përgjegjës për punët është Arif Daka.

Gazeta ka siguruar gjithashtu edhe një e-mail nga inxhinieri përgjegjës, Bujar Morina, i cili bën realizimin e porosive të materialeve të nevojshme për projektin “Ndërtimi i shkollës fillore 14+2k në Magure – Lipjan”.

Më 26 korrik 2019, shihet njoftimi nga Bujar Morina lidhur me porositë për projektin në këtë shkollë, të cilat ia përcjell edhe Arif Dakës.

Bisedat në e-mail

Një tjetër kontakt mes tyre, tregon se të gjitha aprovimet merren nga vëllai i Dakës, Arben Daka, porse mesazhi i është përcjellë edhe vet Arif Dakës.

Përveç tjerash Gazeta Sinjali ka siguruar edhe fotografi të punimeve në këtë shkollë, madje edhe kur ato janë publikuar në rrjete sociale pikërisht nga kompania e Dakës, “Quatro Trade” SH.P.K. Pasi Sinjali ka nisur të raportojë për këtë rast dhe ka zhvilluar telefonata, “Quatro Trade” SH.P.K. duket se edhe e ka deaktivizuar tërësisht profilin në Faceobok.

Shkolla

Janë një seri raportimesh nga Sinjali lidhur me kurdisje të tilla të tenderëve. Në dhjetor të vitit 2020 Gazeta Sinjali raportoi se si Daka kurdisi një tender tjetër lidhur me projektin “Renovimi i Komunës – Përdhesës dhe kulmit për nevoja të pilot projektit #ONESTOPSHOP#- PRIZREN”.  Akoma pa u shpallur fituesi, Daka ishte kujdesur që nënkontraktor të jetë kompania që vet e menaxhon.

Sinjali, më vonë raportoi për një tjetër dallaver të Dakës, ku për një projekt ai e shpalli fituese pikërisht kompaninë në emër të vajzës së tij, Dafina Dakës.

Bëhet fjalë për projektin “Ndërtimi i Prokurorisë Themelore në Gjakovë – vazhdim i punimeve”, që kapte vlerën prej 493.092,35 euro.

Edhe në këtë rast, Daka u kujdes që akoma pa u shpallur fituesi, nënkontraktor të jetë kompania “Quatro Trade” SH.P.K. e cila menaxhohet, kontrollohet dhe administrohet nga vet Arif Daka.

Në vijim Gazeta Sinjali do t’ju informojë edhe për kurdisje tjera mes kompanisë së Dakës “Quatro Trade” SH.P.K. dhe “Arbëri-NS” SH.P.K.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin