image Skandali i radhës në Administratën Publike/ Kurdisja e tenderit afër 500 mijë euro nga zyrtari i lartë i ministrisë - Sinjali

Skandali i radhës në Administratën Publike/ Kurdisja e tenderit afër 500 mijë euro nga zyrtari i lartë i ministrisë

news image

Gazeta Sinjali në dhjetor të vitit të kaluar pati raportuar për kurdisje të çmimeve dhe fituesve të tenderëve në ish-Ministrinë e Administratës Publike, tashmë e shkrirë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, nga Arif Daka, ish-drejtor në MAP dhe drejtor aktual në Departamentin për Standarde dhe Politika të Inxhinieringut dhe Menaxhimit të Ndërtesave Qeveritare në MPB.

Kjo formë e keqpërdorimeve përmes prokurimit publik që është shndërruar në kancer për shtetin tonë, siç duket, nuk ka përfunduar me vetëm një tender të kurdisur nga Arif Daka, i cili ka përdorur lloj-lloj metodash e mjetesh për të arritur qëllimin e tij.

Gazeta Sinjali ka vazhduar hulumtimin dhe ju sjellë kurdisjen e projektit tjetër nga Daka, “Ndërtimi i Prokurorisë Themelore në Gjakovë – vazhdim i punimeve”, në vlerë të 493.092,35 euro, ku Daka u kujdes që akoma pa u shpallur fituesi, nënkontraktor të jetë kompania “Quatro Trade” SH.P.K., në emër të vajzës së tij, por e cila de facto menaxhohet, kontrollohet dhe administrohet nga vetë Arif Daka, për të maskuar gjithë marifetin e tij.

Sinjali ka siguruar dëshmi dhe dokumente që shpërfaqin kurdisjen e këtij tenderi nga Arif Daka, përmes kompanisë së tij “Quatro Trade” SH.P.K dhe ju sjellë më poshtë detaje.

Kush ishte kontraktori dhe si ndodhi që kompania e zyrtarit Arif Daka, të “përzgjedhej” nënkontraktor për një projekt të cilin e mbikëqyrte pikërisht departamenti ku ai është drejtor?

Më 22 gusht të vitit 2018, ish-Ministria e Administratës Publike shpalli njoftimin për kontratën “Ndërtimi i Prokurorisë Themelore në Gjakovë – vazhdimi i punimeve” me vlerën e parashikuar 495,000,00 euro, të cilën e fitoi kompania NPSH “Dekoral” me ndihmën e kompanisë së Arif Dakës, “Quatro Trade” SH.P.K.

Nga hulumtimi i Gazetës Sinjali del se një ditë para se të shpallej njoftimi për dhënien e kontratës, më 25 shtator 2018,  Arif Daka, pa autorizim dhe në mënyrë të kundërligjshme ka nxjerrur paramasën me çmimet e kontraktuara në mes të ish-Ministrisë së Administratës Publike dhe kompanisë NPSH “Dekoral”, fituese e këtij tenderi, duke u bërë nënkontraktor për t’i kryer furnizimet me material dhe punët elektrike.

Emaili

Kështu siç ishte planifikuar dhe kurdisur, më 26 shtator 2018, kompania NPSH “Dekoral” u shpall fituese e tenderit në vlerë të 493.092,35 euro, çmim ky që shihet qartë se është kurdisur pasi që në njoftimin për dhënien e kontratës ka pasur korrigjim të çmimeve, në mënyrë që Daka të ndajë përfitimin me kompaninë fituese NPSH “Dekoral”.

Korrigjimi – Njoftimi për dhënien e kontratës.
Vlera e përgjithshme e kontratës në njoftimin për dhënien e kontratës

Pas shpalljes së fituesit dhe “sigurisë” se ai dhe biznesi  tij do të përfitonin nga ky projekt, kompania e Dakës më 1 tetor 2018 nënshkroi kontratë me NPSH “Dekoral” për “Furnizimin dhe instalimin e pajisjeve elektrike dhe të IT” me çmim total prej 61.614.00 euro,

Tri ditë më pas, më 4 tetor 2018 u publikua njoftimi për nënshkrimin e kontratës, ku tashmë Daka e kishte kryer “punën” e tij, për keqpërdorime në prokurim publik, që të fitonte direkt ai.

Më pas, ish-Ministria e Administratës Publike kishte marrë vendim që ky projekt të mbikëqyret nga Departamenti për Standarde dhe Politika të Inxhinieringut dhe Menaxhimit të Ndërtesave Qeveritare, ku drejtor ishte pikërisht Arif Daka.

Dëshmi tjetër e partneritetit në tenderin e kurdisur janë edhe publikimet që kompania “Quatro Trade” SH.P.K i kanë bërë në rrjetin social Facebook.

Dëshmi

Gazeta Sinjali me qëllim që Arif Dakës t’i mundësohej dhënia e versionit të tij, e ka kontaktuar disa herë numrin e biznesit të “Quatro Trade” SH.P.K që gjendet në ARBK, por askush nuk është përgjigjur.

Redaksia ka kontaktuar edhe me Albert Osmanajn nga kompania NPSH “Dekoral” për ta pyetur për relacionin me kompaninë e Arif Dakës dhe detajet për këtë projekt. 

Kur Gazeta Sinjali pyet Osmanajn se “Për projektin për vazhdimin e ndërtimit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë keni bashkëpunuar me “Quatro Trade” SH.P.K. të Arif Dakës, apo jo?”, Osmanaj nuk e mohon, duke thënë: “Po”. Por Osmanaj e ka mohuar që kompania e Arif Dakës ka qenë nënkontraktor në këtë projekt.

Kompania “Quatro Trade” SH.P.K figuron si biznes në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë, me bazë në Suharekë, i regjistruar më 2 shkurt të vitit 2016, në emër të vajzës së Arif Dakës, Dafina Dakës.

Gazeta Sinjali ka siguruar dëshmi për kurdisje edhe të tenderëve të tjerë nga Arif Daka me bashkëpunëtorë, duke përdorur kompaninë “Quatro Trade” SH.P.K, të cilat do t’i publikojë në vazhdimësi.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin