image Skandal në Administratën Publike: Si u kurdis tenderi rreth 1 milion euro që të përfitojë kompania e zyrtarit të lartë të ministrisë - Sinjali

Skandal në Administratën Publike: Si u kurdis tenderi rreth 1 milion euro që të përfitojë kompania e zyrtarit të lartë të ministrisë

news image

Korrupsioni dhe keqpërdorimet përmes prokurimit publik janë shndërruar në kancer të së tashmes dhe së ardhmes për shtetin tonë. Dallavere të tilla, të cilat ndodhin pothuajse çdo ditë në sektorin publik, sa vijnë e sofistikohen duke përdorur lloj-lloj metodash e mjetesh për të arritur qëllimin.

Një formë relativisht e njohur tashmë, siç është kurdisja e çmimit dhe fituesit të projektit, akoma pa u shpallur tenderi, rezulton se ka zënë vend edhe në ish-Ministrinë e Administratës Publike, tashmë e shkrirë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, shkruan Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali ka bërë një hulumtim, i cili vë në pah një kurdisje të tenderit nga Arif Daka, ish-drejtor në MAP dhe drejtor aktual në Departamentin për Standarde dhe Politika të Inxhinieringut dhe Menaxhimit të Ndërtesave Qeveritare në MPB.

Arif Daka, duke qenë zyrtar në MAP, tash MPB, dyshohet se përmes kompanisë së tij “Quatro Trade” SH.P.K, të regjistruar në emër të vajzës së tij, Dafina Dakës, por që numri kontaktues në ARBK është i vetë Dakës, ka kurdisur së paku një tender vitin e kaluar për një projekt të Ministrisë së Administratës Publike në Komunën e Prizrenit.

Gazeta Sinjali ka siguruar dëshmi dhe dokumente që shpërfaqin kurdisjen e këtij tenderi nga Arif Daka, përmes kompanisë së tij “Quatro Trade” SH.P.K.

Projekti “Renovimi i Komunës: Përdhesës dhe kulmit për nevoja të pilot projektit #ONESTOPSHOP#- PRIZREN” është njëri nga tenderët, ku Daka u kujdes që akoma pa u shpallur fituesi, nënkontraktor të jetë kompania “Quatro Trade” SH.P.K, në emër të vajzës së tij, por e cila de facto menaxhohet, kontrollohet dhe administrohet nga vetë Arif Daka, duke shfrytëzuar emrin e vajzës për të maskuar gjithë marifetin e tij.

Por, kush ishte kontraktori dhe si ndodhi që kompania e zyrtarit Arif Daka, të “përzgjedhej” nënkontraktor për një projekt rreth 1 milion euro, e të cilin e mbikëqyrte pikërisht departamenti ku Arif Daka është drejtor?

Ministria e Administratës Publike më 5 prill të vitit 2019 kishte publikuar njoftimin për kontratën #ONESTOPSHOP#, me kushte të cilat siç rezulton nga dosja e tenderit, paraprakisht ishin gatuar të favorizonin vetëm kompaninë e përzgjedhur nga Arif Daka, “Construmax” SH.P.K, përmes së cilës ai dhe biznesi i tij do të përfitonin direkt duke u bërë më vonë nënkontraktor i këtij projekti për t’i kryer furnizimet me material dhe punët elektrike.

Dosja e tenderit me kushtet e gatuara për “Construmax” SH.P.K.

Nga hulumtimi i Gazetës Sinjali del se, për t’i plotësuar kushtet diskriminuese të vendosura nga autoriteti kontraktues, pjesë e të cilit është Arif Daka, ky i fundit është kujdesur që kompanisë fituese të tenderit, “Construmax” SH.P.K., fillimisht t’ia sigurojë autorizimin (MAF) nga prodhuesi “March Networks”, të cilin vetë ai e kishte vënë si kriter përcaktues, në mënyrë që të diskualifikohen operatorët e tjerë ekonomikë.

Komunikimi elektronik në mes të Arif Dakës, kompanisë së tij “Quatro Trade” SH.P.K dhe prodhuesit “March Networks”, i cili filloi 15 ditë para se të shpallej njoftimi për kontratë, vë në pah kurdisjen e kushteve diskriminuese dhe kërkesën e Dakës për ta pajisur kompaninë “Construmax” SH.P.K me autorizimin (MAF).

Komunikimi përmes emailit më 20 mars 2019
Komunikimi përmes emailit më 21 mars 2019

Pranimi i dokumentit MAF- 11 prill 2019

Pasi Arif Daka i mundësoi plotësimin e kushteve diskriminuese kompanisë “Construmax” SH.P.K, për ta konkretizuar bashkëpunimin dhe ndarë përfitimin me këtë kompani, “Quatro Trade” SH.P.K e dërgoi ofertën e saj një muaj para se “Construmax” Sh.P.K të shpallej fitues e tenderit.

Ashtu siç ishte planifikuar dhe kurdisur paraprakisht, më 19 qershor 2019, kompania “Construmax” SH.P.K u shpall fituese e tenderit në vlerë prej 929 mijë e 584 e 68 euro, pasi autoriteti kontraktues konstatoi se kjo kompani plotësonte kushtet diskriminuese të konstruktuara muaj më parë nga Arif Daka.

Kompania që ka fituar tenderin
Letra për fituesin e tenderit

Kushtet e përcaktuara më parë nga autoriteti kontraktues, të cilat ishin dedikuar t’i plotësonte vetëm kompania “Construmax” SH.P.K, e cila përkrahej nga Arif Daka, bënë që kompania tjetër konkuruese për këtë tender N.N.SH “Top Projekt” të diskualifikohej me arsyetimin se kjo kompani nuk posedonte dokumentacionin e kërkuar.

Arsyeja e diskualifikimit të kompanisë që ka konkurruar për këtë tender

Pas nënshkrimit të kontratës, më 22 korrik 2019, Ministria e Administratës Publike kishte marrë vendim që ky projekt të mbikëqyret nga Departamenti për Standarde dhe Politika të Inxhinieringut dhe Menaxhimit të Ndërtesave Qeveritare, ku drejtor ishte pikërisht Arif Daka.

Dëshmi tjetër e partneritetit në tenderin e kurdisur #ONESTOPSHOP# janë edhe publikimet që kompania “Quatro Trade” SH.P.K dhe kompania “Construmax” SH.P.K i kanë bërë në rrjetin social Facebook.

Gazeta Sinjali me qëllim që Arif Dakës t’i mundësohej dhënia e versionit të tij, ka kontaktuar numrin e biznesit të “Quatro Trade” SH.P.K që gjendet në ARBK, në të cilin është përgjigjur vetë Arif Daka.

Në një përgjigje përmes telefonit, Daka tha për Sinjalin se kompania “Quatro Trade” SH.P.K është e vëllait të tij, Arben Dakës.

“Nuk është kompania jem “Quatro Trade” SH.P.K. është e Arbenit, e vëllait. Një pjesë të punës e ka pasë ai aty. Numri im ka mbetë aty, i vjetër. Një pjesë të punëve e ka kry në atë projekt. Me pjesën e IT-së e ka pasë diçka, një pjesë të vogël e ka pasë”, tha Daka.

Mirëpo, deklarimet e Arif Dakës janë në kundërshtim me provat dhe dëshmitë e siguruara nga Sinjali, nga të cilat rezulton se Arif Daka së bashku me vëllain e tij, Arben Dakën, si përfaqësues të “Quatro Trade” SH.P.K, kanë qenë të përfshirë në komunikimet për sigurimin e autorizimit të prodhuesit (MAF), ofertën e dërguar dhe punët e kryera në këtë projekt.

Redaksia ka kontaktuar edhe me Faton Krasniqin, drejtorin e kompanisë “Construmax” SH.P.K, për ta pyetur për relacionin me kompaninë e Arif Dakës dhe detajet për këtë projekt.  

Kur Gazeta Sinjali pyet Krasniqin se “Për projektin #ONESTOPSHOP#, tender të cilin e keni fituar, ju keni bashkëpunuar me kompaninë “Quatro Trade” SH.P.K të Arif Dakës, apo jo?”, Krasniqi nuk e mohon, duke thënë: “Quatro Trade, po. Edhe?”

Gazeta Sinjali sërish ka pyetur Krasniqin për detaje, por në momentin që është përmendur kompania e Arif Dakës, i njëjti ka insistuar që për çdo gjë të kontaktohet përmes emailit.

Kompania “Quatro Trade” SH.P.K figuron si biznes në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë, me bazë në Suharekë, i regjistruar më 2 shkurt të vitit 2016, në emër të vajzës së Arif Dakës, Dafina Dakës.

Biznesi Quatro Trade SH.P.K i regjistuar në emër të vajzës së Arif Dakës

Gazeta Sinjali ka siguruar edhe dëshmi për kurdisje të tenderëve të tjerë nga Arif Daka me bashkëpunëtorë, duke përdorur kompaninë “Quatro Trade” SH.P.K, të cilat do t’i publikojë së shpejti.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin