Një rast i rëndë që dyshohet të ketë ndodhur rreth një muaj më parë në Lipjan ka çuar në arrestimin e një të riu nën dyshimin për veprën penale “Dhunim”, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin, rasti është raportuar më 8 qershor 2026 në Stacionin Policor në Lipjan, ku e mitura është paraqitur së bashku me prindërit e saj për të kërkuar ndihmë.
Gjatë trajtimit fillestar të rastit nga zyrtarët policorë, është kuptuar se e mitura dyshohet se ka qenë viktimë e një dhunimi që, sipas informacioneve fillestare, kishte ndodhur rreth një muaj më parë në territorin e Lipjanit.
Pas raportimit janë angazhuar menjëherë hetuesit e Stacionit Policor në Lipjan, Qendra për Punë Sociale, si dhe njësitë relevante hetimore nga Prishtina.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se si i dyshuar në këtë rast është identifikuar Kujtim Pacolli, i cili është shoqëruar në Polici dhe është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Dhunim”, ndërsa ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Hetimet janë duke vazhduar dhe pritet që Prokuroria të ndërmarrë veprimet e mëtejshme procedurale për zbardhjen e plotë të rastit.
Për shkak se rasti përfshin një të mitur, Gazeta Sinjali nuk publikon asnjë të dhënë që mund të çojë në identifikimin e viktimës.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!