image Temperatura -2°C, nxënësit e Shkollës së Mjekësisë në Gjakovë mbajnë mësim në klasa pa ngrohje

Kosovë

Temperatura -2°C, nxënësit e Shkollës së Mjekësisë në Gjakovë mbajnë mësim në klasa pa ngrohje

news image

Nxënësit e Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Hysni Zajmi” në Gjakovë janë duke e zhvilluar mësimin pa ngrohje në klasa, në të ftohët, raporton Gazeta Sinjali.

Në lidhje me mungesën e ngrohjes për Gazetën Sinjali ka folur Rezarta Aliraj-Sadiku, profesoreshë e teknologjisë në këtë shkollë.

“Asnjë ditë nuk kemi pasur ngrohje për këtë vit, madje në bodrum ku unë e zhvilloj mësimin, përveç mungesës së ngrohjes, ka edhe lagështi, gjë që e vështirëson edhe më shumë procesin mësimor”, ka thënë ajo.

Aliraj-Sadiku ka thënë se Drejtoria e Arsimit në këtë komunë është në dijeni për këtë problem, pasi që sipas saj, drejtori i kësaj shkolle i ka bërë të gjitha kërkesat e parapara.

Gjithashtu, profesoresha e teknologjisë tha se ky problem me ngrohje është identifikuar qysh në verë, mirëpo nuk është ndërmarrë asgjë.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe Drejtorin e Arsimit në Komunën e Gjakovës, Gjevalin Nikollbibaj, i cili ka thënë se ky problem me ngrohjen është vetëm sot dhe se ekipet kanë dalë në terren dhe po mundohen që ta rregullojnë.

“Jo, realisht nuk është prishje e mëhershme, është prishje qe ka ndodhur për momentin, aty ka pasur një rrjedhje, është një prishje që na ka ndodhur në dy shkolla dhe mekanikët janë nëpër terren dhe besojë që nëse nuk është rregullu deri tani, gjatë ditës do të lëshohet nxemja në këtë shkollë”, ka thënë Nikollbibaj.

Mirëpo, profesoresha e shkollës, insiston që kjo prishje nuk është një ditore dhe se nxemje asnjë ditë nuk ka pasur në këtë shkollë./Gazeta Sinjali/